Sociale

Zyrtarizohet tarifa e Mjekësisë, paguan 240 mijë lekë në vit studenti që refuzon kontratën

Universiteti i Mjekësisë ka nxjerrë koston e studimit për studentët e viteve të dyta deri të gjashta. 2.4 milionë lekë të vjetra duhet të paguajë çdo student i cili refuzon të firmosë kontratën e cila e detyron të punojë për 2-3 vite në Shqipëri pas studimeve.

Kostoja e studimit është përllogaritur nga një grup i posaçëm pune në Universitetin e Mjekësisë referuar vendimit të Këshillit të Ministrave për këtë çështje. Kjo tarifë u diskutua në rektorat, kaloi në senatin e universitetit dhe firmën e fundit e ka dhënë Bordi i Administrimit pasditen e se hënës.

Burime nga Universiteti i Mjekësisë bëjnë të ditur se tashmë po hartohet kontrata e cila do t’u paraqitet studenteve të viteve të dyta deri të gjashta. Ata që e refuzojnë duhet të paguajnë 2.4 milionë lekë të vjetra tarifë për studimet vjetore. Edhe studentët e viteve të para do t’i nënshtrohen firmosjes së kontratës edhe pse për ta situata është ndryshe.

Para se te zgjidhnin këtë degë ata u njohën më kushtin dhe ligjin se për të qenë student i Mjekësisë së Përgjithshme duhet të kontribuosh 5 vite në vend pas studimeve.

Drejtues të fakultetit të Mjekësisë sqarojnë se me specializimin, mjekët të ardhshëm jo vetëm profilizohen, por ulin me 4 vite detyrimin e kontratës për të shërbyer në Shqipëri.

Të pyetur në lidhje me bojkotin total të mësimit, drejtues të Fakultetit të Mjekësisë thonë se studentët duhet të zbatojnë ligjin./A2