Aktualitet

Zyrtarizohet fitorja e Lulzim Bashës në krye të PD-së!

Zyrtare: Lulzim Basha do të drejtojë Partinë Demokratike për 4 vitet e ardhshme. Rezultatin e mësuar nga mbrëmë e konfirmoi sot Jemin Gjana, kryetar i Komisionit Zgjedhor në Selinë Blu. Gjana dha detaje për votat e siguruara nga secili prej katër kandidatëve:

Për zotin Fatbardh Kadilli kanë votuar 781 anëtarë

Për zonjën Edit Harxhi kanë votuar 983 anëtarë

Për zotin Agron Shehaj 6.038 anëtarë

Për zotin Lulzim Basha kanë votuar 32.882 anëtarë

Më herët gjatë ditës, Fatbardh Kadilli pranoi humbjen dhe zgjedhjet brenda partisë i cilësoi edhe më keq se ato parlamentare të 25 prillit. Ndërkaq, konfirmoi se do të qëndrojë në Selinë Blu.

Pabarazi burimesh financiare. Patë një kryetar që nuk lëshoi zyrën, patë deputetë dhe kryetarë degësh. Patë të zvogëlohej lista e anëtarëve, të gjitha s’na bëjnë nder e na bëjnë të pazotë në sytë e shqiptarëve për përgjegjesite qe na presin. Ofruam garë por jo standarde. Brenda partisë, zgjedhjet ishin më keq se ato parlamentare. Megjithatë unë nuk jam Luli, unë e pranoj këtë rezultat dhe vendimin e demokratëve!

Zgjedhjet për kryetarin e PD-së u zhvilluan dje, pjesëmarrja ishte 54.5% dhe u administruan votat në 76 kuti në mbarë vendin. Rivalët e Bashës folën për “maskaradë elektorale”.

Ndërkaq, PPE uron Lulzim Bashën lidhur me rizgjedhjen në krye të Selisë Blu:

Bashkë për një Shqipëri demokratike dhe europiane!