Bota

Zyrtari i NATO-s, Bauer: Ukraina ka arsye ushtarake legjitime që të sulmojë thellë në Rusi!

Shefi i Komitetit Ushtarak të NATO-s thotë se është “vendim politik” çështja nëse duhet të lejohet Ukraina që të sulmojë thellë brenda Rusisë me armë perëndimore me rreze të gjatë veprimi, por se nga pikëpamja ushtarake, kjo do të ishte brenda të drejtës ligjore të Ukrainës.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, REL, admirali Rob Bauer shprehet se “heqja e kufizimit nuk është çështje që NATO po e diskuton”, por sipas mendimit të tij, si udhëheqës ushtarak, “përgjigjja do të ishte po”.

Në bazë të Kartës të OKB-së dhe në bazë të ligjit për konflikt të armatosur, nëse sulmoheni nga një shtet, ju keni të drejtë ta mbroni veten. Kjo mbrojtje nuk ndalon në kufijtë tuaj. Juve ju lejohet që të sulmoni armikun në territorin e tij.

Komiteti Ushtarak i NATO-s, autoriteti më i lartë ushtarak i aleancës, për dy ditë u takua në Pragë, në një konferencë dyditore për të diskutuar mbi zhvillimet strategjike brenda aleancës pas vendimeve që janë marrë gjatë samitit të NATO-s në korrik.

Takimi u mbajt një ditë pasi kryeministri britanik, Keir Starmer bisedoi me presidentin amerikan, Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë, për të diskutuar nëse duhet miratuar kërkesa e Kievit për të përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi ndaj objektivave në Rusi.

Bauer tha se kërcënimi i shprehur nga presidenti rus, Vladimir Putin, si dhe nga ish-presidenti Dmitry Medvedev, në përgjigje të këtyre diskutimeve shfaqi pakënaqësinë si po shkon lufta, dy vjet e gjysmë pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.

Mendoj se është dëshmi se sa të pakënaqur janë ata sepse Rusia nuk ka arritur asnjë prej qëllimeve të saj strategjike në Ukrainë.

Më herët gjatë javës, Putin tha se Perëndimi do të ishte “në luftë” me Rusinë nëse i lejon Ukrainës të sulmojë me raketa me rreze të gjatë, të prodhuara në Perëndim. Ndërkaq, Medvedev u shpreh se Moska mund ta shkatërrojë kryeqytetin ukrainas, Kiev me armë jobërthamore nëse Perëndimi heq kufizimet.

Medvedev, i cili tani është kryetar i Këshillit të Sigurisë së Ukrainës shtoi se “Rusia mund të përdorë armë bërthamore”.

Bauer vlerëson se këto kërcënime duhet të merren seriozisht.

Por, ajo se çfarë po bëjnë NATO dhe aleatët e tjerë të Ukrainës është brenda Kartës së OKB-së, brenda ligjit ndërkombëtar. Dhe ne do të vazhdojmë të veprojmë kështu.