Rajoni

Zyrtarët e Republikës Sërpska në Beograd për Këshillin Gjithëkombëtar Serb!

Zyrtarët e Republikës Sërpska, entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, sot shkuan në Serbi, pak para organizimit të Këshillit Gjithëkombëtar Serb, që mbahet sot dhe nesër në Beograd. Presidenti Aleksander Vuçiç iu tha mediave se ky është “demonstrim i madh”, përmes së cilit Serbia dëshiron që të tregojë “jo vetëm unitet në pikëpamje, por edhe unitet në vendosmërinë për të mos fshehur përkatësinë e të njëjtit popull”.

Sa i përket Republikës Sërpska, ne duam të tregojmë respekt për Marrëveshjen e Dejtonit, për Serbinë dhe Republikën Sërpska, neutralitetin ushtarak e shumë parime të tjera.

U paralajmërua edhe mbajtja e një takimi qeveritar ku pritet që të miratohet Deklarata për Mbrojtje të të Drejtave Kombëtare e Politike, si dhe për mbrojtje të së ardhmes së popullit serb.

Ministri i Punës, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale në Qeverinë e Serbisë, Nemanja Staroviç foli në një dalje televizive e tha se “deklarata do të respektojë Marrëveshjen e Dejtonit, Kushtetutën e Bosnjë-Hercegovinës, sovranitetin e shtetit fqinj, por edhe sovranitetin e integritetin e Republikës Sërpska brenda Bosnje-Hercegovinës”.

Një ditë më parë, Këshilli Gjithëkombëtar Serb dhe Qeveria e Serbisë kanë miratuar protokolle dhe memorandum bashkëpunimi me Qeverinë e Republikës Sërpska. Fillimisht, aktiviteti ishte planifikuar të zhvillohej më 5 dhe 6 maj, por presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i kërkoi presidentit Vuçiç që takimi të mbahet pas miratimit të Rezolutës për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Rezoluta u miratua më 23 maj dhe shpall 11 Korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë e dënon mohimin e gjenocidit dhe lartësimin e kriminelëve të luftës. Serbia ka lobuar kundër miratimit të rezolutës, sepse Beogradi zyrtar nuk e njeh gjenocidin në Srebrenicë, por e konsiderohen vetëm si “krim të tmerrshëm”.

Më 30 maj, pas takimit me Dodikun, Vuçiç theksoi se uniteti i popullit serb “do të konfirmohet fuqishëm” në Parlament. Në një konferencë për shtyp më 23 maj, Dodik tha se do të kërkojë mbështetjen e lidershipit të Serbisë lidhur me “shkëputjen e Republikës Sërpska me Federatën e Bosnje-Hercegovinës”.

Një ditë më vonë, Vuçiç nënvizoi se “nuk mund” të komentojë për këtë nismë dhe që paqja duhet të ruhet “me çdo çmim”.