Federata Shqiptare e Futbollit, FSHF, rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares, Sylvio Mendes Campos Júnior, si edhe dy zëvendës-trajnerët, Pablo Javier Zabaleta Girod e Dorival Guidoni Junior. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën të ditur se kontrata e re me trajnerin Silvinjo dhe dy asistentët e tij, Zabaleta e Dorival do të zgjasë deri në dhjetorin e vitit 2025 e menjëherë do të nisë puna për ndeshjet e UEFA Nations League, si dhe kualifikueset e Kupës së Botës.
Sfida e parë është UEFA Nations League, me këtë kompeticion që do t’i shërbejë stafit teknik për të përgatitur sa më mirë ekipin për kualifikueset e Botërorit 2026. Pas suksesit të arritur me kualifikimin në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”, tani synimi kryesor do të jetë një kualifikim historik në finalet e Kupës së Botës 2026.
Arritja e marrëveshjes dhe vazhdimi i projektit tregon vizionin e FSHF-së për të rritur sa më shumë nivelin e ekipit Kombëtar me objektivin kryesor për të arritur të tjera suksese historike në të ardhmen.
Nën drejtimin e trajnerit Silvinjo, Kombëtarja Shqiptare e Futbollit, siç edhe dihet, ka treguar progres e një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në histori në një Kampionat Europian, ku tregoi performancë të denjë dhe bindëse në takimet kualifikuese, si edhe pati përballje të denja me kundërshtarë të nivelit të lartë në kampionatin “Euro 2024” ndaj Italisë, Kroacisë e Spanjës, po ashtu.
Rinovimi i kontratës nënkupton angazhimin e FSHF-së për vazhdimësi dhe stabilitet, ndërsa nis rrugëtimi ambicioz drejt objektivit për një kualifikimin historik në Kupën e Botës 2026./Supersport