Zyrtare, Gugash Magani rikthehet në stolin e Tiranës pas 9 vitesh. Magani ka qenë trajner i Tiranës për dy sezone, kjo në periudhën 2013-2015. Dhe nga 1 dhjetor 2013 deri më 17 maj 2015 e ka drejtuar Tiranën në 68 ndeshje në të cilat ka marrë 36 fitore, 19 barazime dhe 13 humbje.
Njoftimi i Tiranës:
“Gugash Magani është trajneri i ri i KF Tirana. Klubi i Futbollit Tirana emëron në krye të pankinës bardheblu trajnerin Gugash Magani. Magani ka qenë edhe më parë në krye të Tiranës në rolin e trajnerit dhe është njohës i mirë i kampit bardh’e blu.
Ai së bashku me Zv. trajnerin Klodian Dervishi kanë marrë nën drejtim skuadrën në seancën stërvitore të ditës së sotme”, shkruhet në njoftimin e Tiranës.Sfida e parë për Maganin do të jetë pikërisht kundër Bylisit, më 10 nëntor. Bardheblutë janë pritës, teksa stadiumi mbetet për t’u vendosur.
Në fakt Magani duket se ka qenë kandidatura e vetme për të zëvendësuar Bledi Shkëmbin në këto momente.
Më parë Magani ishte në krye të Lushnjës, ndërsa dha dorëheqjen pas eliminimit në Kupën e Shqipërisë nga Oriku në atë humbje në stadiumin “Roza Haxhiu”, 0-1. Më parë Magani ka drejtuar dhe Shkumbinin, Flamurtarin, Besën, Teutën, Egnatian. Po kështu ka drejtuar dhe Trepça’89 në Kosovë.