Zyrtarisht, Donald Trump, shpalli kandidaturën për zgjedhjet presidenciale në vitin 2024. “Rikthimi i Amerikës fillon pikërisht tani”, u tha Trump mbështetësve në resortin e tij, Mar-A-Lago, në Florida. Njoftimi vjen një javë pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, të cilat përcaktojnë përbërjen e Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit Amerikan. Partia Republikane e Trumpit doli më keq seç pritej në këto zgjedhje dhe shumë prej kandidatëve që ai mbështeti, nuk arritën të fitonin.
Trump, manjat i pasurive të patundshme, befasoi me fitoren e tij në zgjedhjet e vitit 2016, kur mundi ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton. Ndërkohë, tha se nuk po garon sërish për shkak të politikës, por për shkak të dashurisë së tij për Shtetet e Bashkuara.
Për ta bërë Amerikën përsëri të madhe dhe të lavdishme, unë po shpall kandidaturën time për president të Shteteve të Bashkuara.
Gjatë katër vjetëve në krye të Shtëpisë së Bardhë, Trump bëri histori si presidenti i parë që u akuzua dy herë formalisht.
Herën e parë, ai u akuzua për abuzim me pushtetin e pengim të punës së Kongresit Amerikan, por më pas u lirua nga këto akuza. Herën e dytë, akuzat kishin të bënin me sulmin e mbështetësve të tij kundër Kongresit Amerikan, më 6 janar, 2021, në përpjekje për të penguar tranzicionin paqësor të pushtetit te presidenti i zgjedhur, Joe Biden. Hetimet vazhdojnë.
Mbi një muaj më parë, komisioni i Kongresit që heton sulmin ndaj Kapitolit, më 6 janar 2021, unanimisht votoi për të thirrur Donald Trump-in. Ish-presidenti duhet të dëshmojë për rolin e tij në nxitjen e dhunës e përpjekjet disa javore për të përmbysur humbjen në presidencialet e nëntorit 2020. Kryetari i komisionit, ligjvënësi i Misisipit, Bennie Thompson:
Duhet të dëgjojmë nga Donald Trump. Ish-presidenti duhet të përgjigjet për veprimet, pjesë e skemës së tij për të qëndruar në pushtet. Kemi detyrimin që ta shohim dëshminë e Trump-it, përpara të gjithë publikut amerikan.
Ndërsa gjithçka transmetohej live në televizion, të nëntë anëtarët e komisionit votuan në favor të dërgimit të fletëthirrjes për Trumpin, duke i kërkuar dëshminë, si dhe dokumentat që mund të disponojë mbi përpjekjet për të qëndruar në pushtet, duke mos pranuar humbjen përballë demokratit Joe Biden.
Po ashtu, Donald Trump ka sfiduar edhe të tjera përpjekje për të vënë në pikëpyetje veprimet e tij gjatë kohës kur ishte president e në periudhën pasuese, duke paraqitur padi të përsëritura. Ndonjëherë i fitonte, ndonjëherë i ka humbur, gjithnjë duke shtyrë zgjidhjen përfundimtare.