Mes akuzave për manipulim të zgjedhjeve brenda Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Selia Blu shpall fituesin, i cili është Besart Xhaferri. Anëtari i Kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari tha se tashmë kandidatët kanë dy ditë kohë për ankesat zyrtare.
Të shtunën janë zhvilluar zgjedhjet për kreun e Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Procesi zgjedhor është administruar në 62 qendra votimi në të gjithë vendin dhe në të kanë marrë pjesë 186 komisionerë. Të gjashtë kandidatët në garë janë përfaqësuar edhe nga 287 vëzhgues.
Vlen të theksohet se i gjithë procesi është administruar nga Forumi Rinor i Partisë Demokratike. Gjithashtu gjatë procesit të votimit dhe deri në tani, nuk ka patur asnjë ankesë nga vëzhguesit apo kandidatët në rrugë zyrtare.
Sa i takon pjesëmarrjes dhe elementëve të saj, në votime kanë marrë pjesë 9 mijë e 470 votues dhe 73 vota janë gjetur të pavlefshme.
Në emër të Forumit Rinor të Partisë Demokratike dua të falenderoj të gjithë pjesëmarrësit në votime, komisionet dhe vëzhguesit që kanë siguruar një proces demokratik për secilin kandidat dhe, sigurisht kandidatët që kanë dhuruar një garë të fortë dhe entuziaste.
Dua të theksoj se për herë të parë kanë marrë pjesë në garë 6 kandidatë, të cilët e kanë çuar deri në fund procesin pa u tërhequr nga gara, si dhe faktin se në çdo qendër votimi ka patur së paku një vëzhgues të kandidatëve.
Më poshtë, po ju paraqes vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor të FRPDSH-së për rezutatet:
Znj.Alesia Balliu 186 vota; Arnold Kariqi 1683 vota; Artion Barjamaj 528 vota; Znj.Barbara Doda 452 vota; Z.Besart Xhaferri 5256 vota dhe Maringlend Doçi 1292 vota.
Në bazë të këtij rezultati, fitues i zgjedhjeve dhe kryetar i ri i Forumit Rinor të Partisë Demokratike shpallet z.Besart Xhaferri. Siç parashikohet në rregullore, pas shpalljes së vendimit për fituesit, kandidatët në garë kanë dy ditë kohë të paraqesin zyrtarisht ankesat e tyre pranë Komisionit Zgjedhor të Forumit Rinor.