Aktualitet

Zyra të reja për administratën, Veliaj: Realitet i ri në Tiranë/Kryebashkiaku në krah të Ramës!

Sot në konkursin e hapur ndërkombëtar për zyra të reja për administratën e ku mori pjesë dhe kryeministri Edi Rama, Erion Veliaj tha se këto konkurse janë tashmë një traditë që në kohën kur Edi Rama drejtonte bashkinë e Tiranës dhe që “e ka kthyer Tiranën në laboratorin më të madh të arkitekturës, të estetikës, të së bukurës dhe shijes që prodhon ekonomi”.

Sot kemi gjithmonë një dilemë ose një pyetje, në tokën, qytetet, hapësirat i kemi të trashëguara nga të parët tanë apo i kemi të huazuara nga fëmijët tanë? Më pëlqen shumë kjo e dyta. Ne i kemi marrë hua këto asete, territore, hapësira nga fëmijët tanë, ndaj e kemi detyrim që këtë dhuratë që kemi marrë nga ata që po vijnë, ta lëmë shumë më mirë se e kemi gjetur, shumë më estetike se e kemi gjetur dhe të prodhojë më shumë ekonomi se e kemi gjetur.

Dua ta shikojmë këtë konkurs që ndodh sot si në këtë prizëm, diçka që e kemi marrë hua nga një brez që po vjen dhe që ka pritshmëri shumë të larta se si do t’i lëmë këto investime. Tirana sot është hapësira ku jeton 40% e popullsisë, një hapësirë që krijon rreth 50% të ekonomisë së vendit. Kjo do të thotë që çdo investim ka fuqinë që të multiplikohet në territorin e Shqipërisë.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh:

Disa nga eksperimentet që kemi pasur me urbanistikën që ka prodhuar ekonomi janë Pazari i Ri, stadiumi, që kanë qenë territore të shkreta, por që kanë prodhuar ekonomi përtej funksionit bazë të atij projekti, siç ishte pazari apo stadiumi. Një fushatë e mbjelljes së pemëve dhe mbrojtjes së mjedisit që ka filluar që në vitet 2000 kur Rama drejtonte bashkinë, u shpërblye para pak javësh kur Agjencia Europiane e Mjedisit e cilësoi Tiranën si një nga 10 kryeqytetet më të gjelbra.

Më tej, Veliaj tha se çdo investim rrit vlerën e pronës, të mirëqenies dhe cilësinë e gjithë asaj lagjeje, atij komuniteti ku ajo pronë po investohet. Këtu nuk bëhet fjalë për të harruar historinë ose për të mohuar kontributet, por për të prodhuar një realitet të ri në Tiranën tonë.