Aktualitet

“Zyra rajonale e PE të çelet në Tiranë…”, Spiropali takon presidenten e Parlamentit Europian!

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka zhvilluar një vizitë në Parlamentin Europian, në Bruksel.

Spiropali u takua me presidenten e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, pas ftesës që kjo e fundit i bëri.

Spiropali vlerësoi qasjen pozitive të PE dhe Presidentes Metsola për Ballkanin Perëndimor, e konkretizuar në vendimin e Byrosë së PE të korrikut 2024, për një prani të PE në rajon dhe i paraqiti Presidentes kërkesën që vendndodhja e kësaj prezence të jetë në Tiranë.

Shqipëria është jo vetëm vendi avangardë, më i vendosur, me mbështetjen më të madhe popullore, por edhe me shpejtësinë më të madhe drejt anëtarësimit në BE, ndër të gjitha vendet e rajonit. Tirana po shndërrohet në një qendër europiane të rajonit.

Ne e kemi të qartë se anëtarësimi në BE është një proces i bazuar në meritën dhe punojmë çdo ditë për ta merituar këtë.
Vokacioni europian dhe perëndimor i Shqipërisë është tashmë një realitet i njohur e pranuar botërisht.

Mbajtja e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare në 15 tetor dhe çelja e negociatave për grup-kapitujt e parë “Themelorët”, ishte një konfirmim i qëndrueshmërisë së arritjeve, por edhe i vullnetit për avancimin me grup-kapitujt e tjerë.

Plani i Rritjes së BE për Ballkanin Perëndimor paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë, për zhvillimin dhe fuqizimin e ekonomisë, integrimin në ekonominë dhe tregun europian dhe rritjen e mirëqenies.

Kuvendi është maksimalisht i angazhuar në lidershipin e procesit të anëtarësimit, përafrimin e legjislacionit kombëtar me atë të BE-së, kontrollin e monitorimin e zbatimit të reformave demokratizuese dhe integruese, mirëqeverisjes, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, pavarësisë së
pushtetit gjyqësor, pandëshkueshmërisë dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Kuvendi po punon gjithashtu për hartimin e Planit të Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit të Progresit 2024 për Shqipërinë.

Europa në Shqipëri dhe për shqiptarët është më shumë se një flamur që pret një yll më tepër në Bruksel. Është identiteti ynë, rrënjët tona, ëndrra jonë, destinacioni ynë.

Anëtarësimi në BE, si një objektiv strategjik kombëtar, është një proces gjithëpërfshirës dhe Kuvendi po bashkëpunon në këtë proces me qytetarët, publikun, shoqërinë civile, grupet e interesit dhe median.

Duke nënvizuar se këtij qëllimi do t’i shërbejë edhe zgjerimi i bashkëpunimit mes Kuvendit dhe Parlamentit Europian, Kryetarja Spiropali i propozoi Presidentes Metsola disa mekanizma konkretë të këtj bashkëpunimi si platforma të përbashkëta dialogu, komunikimi, programe për zhvillim kapacitetesh, për rritjen e transparencës dhe efektivitetit të veprimtarisë parlamentare etj, tha Spiropali.