Një vendim shumë i debatuar i Zvicrës lidhur me ndalimin e mbulimit të fytyrës në hapësira publike dhe i njohur gjerësisht si “ndalimi i burkave” do të hyjë në fuqi më 1 janar të 2025-tës. Kjo u theksua sot nga qeveria zvicerane.
Ky ndalim që kaloi me një diferencë të vogël votash në një referendum të vitit 2021 dhe që u dënua nga shoqatat myslimane, u mor përsipër nga i njëjti grup që organizoi ndalimin e minareve të reja në vitin 2009.
Në një deklaratë, Këshilli Federal qeverisës vuri në dukje se ka vendosur datën e fillimit të ndalimit dhe se kushdo që do ta shkelë atë pa të drejtë do të përballet me një gjobë deri në 1.000 franga zvicerane. Kjo masë nuk vlen për avionë ose për mjedise diplomatike dhe konsullore ndërsa fytyrat mund të mbulohen edhe në vendet e adhurimit e të tjera vende të shenjta, siç saktësoi qeveria.
Mbulimi i fytyrës do të mbetet i lejuar për arsye të lidhura me shëndetin e sigurinë, për zakonet vendase ose për shkak të motit. Po ashtu do të lejohet për arsye artistike e argëtimi, si dhe për reklamim.
Nëse këto mbulime janë të nevojshme për mbrojtje personale në ushtrimin e lirisë së shprehjes e të bashkimit, ato duhet të lejohen nëse autoriteti përgjegjës e ka miratuar tashmë dhe nuk dëmtohet rendi publik.
Në mars të vitit 2021, Kombet e Bashkuara kritikuan Zvicrën për shkak të referendumit që të ndalohet mbulimi i fytyrës për gratë myslimane në veçanti. Në atë kohë, një zyrtare e OKB-së shprehej:
Zvicra është duke iu bashkuar një numri të vogël të shteteve, ku diskriminimi aktiv ndaj grave myslimane është i sanksionuar me ligj. Dhe kjo është tejet fatkeqe.
Rreth 51.2% patën votuar pro ndalesës, që shënjestron gratë me burka e nikab. Kjo votë u shty përpara nga grupet e ekstremit të djathtë dhe ato kundër Islamit, të cilat asnjëherë nuk e kanë fshehur qëndrimin e tyre kundër për këtë çështje. Qeveria federale pati bërë fushatë kundër ndalesës. Të tilla ndalesa vlejnë edhe në Austri, Holandë e Francë.
Sipas ligjit, liri të tilla mund të kufizohen vetëm për të mbrojtur sigurinë publike, shëndetin, moralin apo të drejtat themelore të të tjerëve.