Aktualitet

Zjarri në tregun e Shkodrës, autoritetet vendore: Situatë e qetë/Nis verifikimi i dëmeve!

“Situatë paraqitet qetë e nuk paraqet rrezik në Shkodër, pas zjarrit të madh që ra mbrëmë në tregun e rrobave të përdorura në Qafë Hardhi e shkrumboi një banesë aty pranë”. Prefektja Majlinda Angoni bëri të ditur se gjatë natës, zjarrfikësit punuan për të shmangur rishfaqjen e ndonjë vatre të re.

Në vendngjarje shkoi dhe grupi hetimor i policisë, bashkë me strukturat e Emergjencave Civile të Bashkisë Shkodër që po punojnë për zbardhjen e shkaqeve dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në shtëpitë rreth tregut të rrobave të përdorura të përfshira nga flakët.

Gjithashtu, akset rrugore janë të qarkullueshme dhe furnizimi me energji elektrike vijon pa problem.

Në një reagim të shpejtë, zjarrfikës të shumtë u angazhuan mbrëmjen e djeshme për shuarjen e zjarrit të fuqishëm i cili shkaktoi dëme materiale. Për lokalizimin e flakëve, në ndihmë shkuan dhe mjete nga Malësia e Madhe, Lezha, Ulqini e Tivari.

Bashkia Shkodër raportoi se në terren u angazhuan 21 mjete zjarrfikëse nga reparti i Shkodrës dhe zonat e tjera, së bashku me 110 efektivë zjarrfikës. Përveç kësaj, u mobilizuan 30 efektivë të Policisë Shkodër, 20 efektivë të Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë dhe tre autoambulanca me personel nga Spitali i Shkodrës. Në përpjekje për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit, u përfshinë edhe 110 punonjës të Bashkisë Shkodër e 30 efektivë të Repartit Ushtarak të Vaut të Dejës.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, helikopteri Cougar dhe një grup efektivësh të Forcave të Armatosura iu bashkuan forcave zjarrfikëse në aksionin për shuarjen e zjarrit të rënë në lagjen Qafë Hardhi. Pas thuajse 5 orësh në luftë me flakët, u arrit të shuheshin dhe pa asnjë rrezik.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci ka shprehur mirënjohje për efektivët e zjarrfikësve, për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe ata të Shkodrës të cilët ishin aty që në momentin e parë, si edhe për bluzat e bardha, punonjësit e Bashkisë Shkodër e Forcat e Armatosura që u bënë pjesë e këtij operacioni shpëtimi.