Aktualitet

Zjarret, përmirësim i situatës në Shëngjin/Ndërhyrja vijon dhe sot!

Situata e krijuar nga zjarret në disa zona të vendit, por veçanërisht në Shëngjin ku dhe ishte alarmante ka shënuar përmirësim nga orët e vona të mbrëmjes së djeshme duke shmangur rrezikun për banesat e bizneset. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, qindra forca operacionale dhe dy avionë Canadair të ardhur nga Italia u angazhuan për shuarjen e flakëve, si pjesë e mbështetjes nga Mekanizmi Europian i Mbrojtjes Civile.

Siç u planifikua, ndërhyrja nga ajri rifilloi prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, sërish me mbështetjen e palës italiane, si dhe nga toka, me përfshirjen e qindra forcave operacionale. Krahas Shëngjinit është bërë e mundur shuarja e flakëve në vatrën e zjarrit në Kaninë të Bashkisë Vlorë, aty ku zjarri përfshiu një sipërfaqe me ullinj, si dhe në Nikël. Ministria e Mbrojtjes shprehu falenderime:

Mirënjohje palës italiane për ndihmën, si dhe palës suedeze për shprehjen e gatishmërisë. Sipas raportimeve të fundit është shmangur fatmirësisht rreziku për banesat dhe bizneset.

Në orët e para të mëngjesit të nesërm (e mërkurë 31 korrik), sërish do të fillojë ndërhyrja nga ajri me mbështetjen e palës italiane, si dhe nga toka, e qindra forcave operacionale.

Eshtë bërë e mundur shuarja e flakëve në vatrën e zjarrit në Kaninë, Bashkia e Vlorës, ku zjarri përfshiu një sipërfaqe me ullinj si dhe në Nikël, ku u raportua një tjetër vatër zjarri.

Mirënjohje të gjithë efektivëve të forcave zjarrfikëse, të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, Shërbimit Pyjor, Zonave të Mbrojtura e vullnetarëve për angazhimin në këtë betejë me flakët.