Aktualitet

Zjarret në vend, ende dy vatra aktive në Delvinë e Dropull!

Në 24 orët e fundit u raportuan 23 vatra zjarri në vend, nga të cilat 21 u shuan falë punës së pandërprerë të forcave të emergjencave civile, siç theksoi ministri i Mbrojtjes. Niko Peleshi raportoi se aktualisht mbeten aktive vetëm dy vatra në vendin e quajtur Agjioneri, në Bashkinë Delvinë dhe një tjetër në Bashkinë Dropull, aty ku gjendja paraqitet më e qetë, por puna vijon për të shmangur çdo rrezik përhapjeje.

Ministri Niko Peleshi i shprehu falënderime 464 efektivëve zjarrfikës, dhjetëra efektivëve të Forcave të Armatosura, forcave bashkiake, atyre policore, punonjësve të Administratës së Zonave të Mbrojtura e të shërbimit pyjor, si dhe forcave vullnetare, të cilët punuan me përkushtim për të shuar flakët në temperatura tejet të larta.

Për shuarjen e zjarrit ndihmuan edhe helikopterët Cougar dhe 2 Canadair të ofruara nga Greqia fqinje, një ditë më parë.

Situata e zjarreve në vend:

Në 24 orët e fundit janë raportuar 23 vatra zjarri, nga të cilat 21 janë shuar falë punës së pandërprerë të forcave të emergjencave civile. Aktualisht, mbeten aktive vetëm dy vatra: një në vendin e quajtur Agjioneri, në Bashkinë Delvinë, ku po punohet intensivisht për izolimin e plotë të zjarrit dhe një tjetër në Bashkinë Dropull, ku situata është më e qetë, por puna vijon për të shmangur çdo rrezik përhapjeje.

Falënderojmë për angazhimin maksimal 464 efektivë zjarrfikës, dhjetëra efektivë të Forcave të Armatosura, forcat bashkiake, forcat policore, punonjësit e Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe të shërbimit pyjor, si dhe forcat vullnetare, të cilët me mjete, ndihmuar edhe nga helikopteri #Cougar dhe 2 #Canadair të ofruara nga Greqia punuan me përkushtim për të shuar flakët në temperatura të papërshtatshme.

Temperaturat e larta të stinës favorizojnë zjarret. Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se edhe sot vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme për shkak të masave ajrore të nxehta, me origjinë nga Afrika e Veriut. Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin, përjashtuar vranësirat kalimtare në relievet kodrinore – malore të jugut e në lindje të territorit, në orët e mesditës dhe të pasdites.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim – verilindje e me shpejtësi mesatare 1-8 m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare e në lugina, era bëhet relativisht intensive, si dhe fiton shpejtësi 10-16 m/sek, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 1-3 ballë.