Aktualitet

Zjarret në vend, dy vatra mbeten aktive!

Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri. Falë reagimit të shpejtë dhe të organizuar të strukturave të Mbrojtjes Civile në nivel vendor dhe qendror janë shuar 23 vatra zjarri. Pra, dy vijojnë të mbeten aktive.

Vatër problematike ka qenë në fshatin Shishtavec, bashkia Kukës, e cila është izoluar plotësisht, falë ndërhyrjes së koordinuar të efektivëve të Forcave të Armatosura dhe Helikopterit Cougar.

Vijojnë të mbeten aktive, por pa rrezik për jetën dhe pronën e qytetarëve, vatrat e zjarrit në fshatin Mazhar, bashkia Selenicë si dhe në fshatin Tuç, bashkia Fushë-Arrëz.

Në operacionet e shuarjes së zjarreve janë angazhuar 336 forca zjarrfikëse, ushtarake, të Policisë së Shtetit dhe vullnetarë, të mbështetur nga helikopteri Cougar. Angazhimi i këtyre forcave ka sjellë stabilizimin e situatës në të gjithë vendin.

Ministria e Mbrojtjes ftoi qytetarët të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë në kohë çdo incident. Dëmtimi i pronës me zjarr ndëshkohet sipas ligjit.

Institucionet përkatëse do të vazhdojnë monitorimin dhe janë të gatshme të veprojnë për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e sotme vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme për shkak të depërtimit të masave ajrore relativisht të lagështa me origjinë veriperëndimore.

Moti nis i kthjellët e më pas pritet shtim gradual i vranësirave mesatare që hera-herës do të jenë deri të dendura në relievet kodrinore-malore ku dhe do të shoqërohen me reshje shiu afatshkurtra e  me intensitet të ulët. Në relievet e larta malore e në zonat luginore pranë tyre, në periudha tepër afatshkurtra këto reshje janë në formën e shtrëngatave, shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Era fryn me drejtim  veriperëndim – jugperëndim e me shpejtësi mesatare 1-3 m/sek, ndërsa në lugina, male e përgjatë vijës bregdetare, era fiton shpejtësi 4-5 m/s, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 1 ballë.