Aktualitet

Zjarret në Shëngjin, kryebashkiaku i Lezhës, Ndreu: Në gatishmëri për të shmangur riaktivizimin!

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu konfirmoi sot se situata e zjarreve në Shëngjin është vendosur nën kontroll, por rreziku ende nuk është eleminuar plotësisht. Në një prononcim për mediat nga terreni, Ndreu u shpreh se situata ka qenë ndër më të vështirat dhe rreziku ka qenë i madh nga era e fortë e disa vatra të vogla.

Ka qenë një situatë nga më të vështirat që kemi kaluar. Sinqerisht, ka qenë një rrezik evident shumë i madh, për shkak të një precipitimi të jashtëzakonshëm, për shkak të erës së fortë dhe të disa vatrave të vogla të zjarrit, por që u bënë të mëdha.

Kryebashkiaku Ndreu vuri në dukje se falë angazhimit të strukturave nga e gjithë Shqipëria, forcave zjarrfikëse, u bë e mundur që gjendja të mbahet nën kontroll. Për fat të mirë nuk pati të lënduar e dëmet në biznese, Ndreu i quajti “të vogla”.

Eshtë bërë e mundur që të mos kemi dëme në njerëz, dëme të vogla në biznese, të neutralizojmë një situatë, që nëse nuk do punohej pa pushim për 48 orë, do ishte një histori e trishtë. Kemi gjithë natën, po trajtojmë edhe vatrat më të vogla, po presim edhe helikopterë të tjerë.

Kreu i bashkisë, Ndreu bëri të ditur se ende ekziston rreziku që me erën, vatrat e zjarrit të mund të riaktivizohen, ndaj dhe në Shëngjin janë vendosur zjarrfikësit nga i gjithë vendi ndonëse më e keqja ka kaluar sipas tij. Më tej, e vuri theksin te “shoku psikologjik” i shkaktuar, por shtoi se kjo nuk pengon kthimin në normalitet.

Jemi të gjithë në këmbë, shumica është kaluar tashmë. Situata u menaxhua në mënyrë perfekte. Po bashkëbisedojmë me operatorët turistikë, po punojnë për ta neutralizuar situatën në kuptimin psikologjik sepse ka pasur edhe shok psikologjik. Mendoj se janë gjëra të tejkaluara dhe ne nuk kemi arsye pse të mos pretendojmë për normalitet.