Aktualitet

Zjarret në Lezhë, Balla: 4 vatra janë vënë nën kontroll, në Shëngjin zjarrfikësit po luftojnë me flakët!

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar lidhur me zjarret në Bashkinë e Lezhës, ndërsa ekipet zjarrfikëse po luftojnë me flakët në Shëngjin.

Në një postim, Balla shprehet se ka pasur 5 vatra zjarri sot në zona të ndryshme në Bashkinë Lezhë.

“Policia e Shtetit ka arrestuar deri më tani një person të dyshuar si fajtor për zjarrvënie. Janë vënë nën kontroll katër vatra zjarri dhe forcat zjarrfikëse po luftojnë me flakët në Shëngjin”, shkruan Balla.

Policia e Lezhës nga krahu tjetër bënë të ditu se ka arrestuar një 33-vjeçar, banues në Rrilë, Lezhë. Sipas Policisë, i ndaluari ndezi zjarr për të pastruar ambientin rreth banesës, por si pasojë e erës së fortë zjarri i doli nga kontrolli duke përfshirë një sipërfaqe të madhe të pyllëzuar.

“Rreth orës 12:30, Policia ka marrë njoftim se në fshatin Spiten, Lezhë, ka rënë zjarr në një zonë të pyllëzuar. Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë kanë shkuar menjëherë në vendin ku kishte rënë zjarr dhe, falë veprimeve të shpejta, bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar të zjarrvënies, konkretisht shtetasin: A. D., 33 vjeç, banues në Rrilë, Lezhë”, njofton Policia.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.