Aktualitet

Zjarret, Ministria e Mbrojtjes konfirmon stabilizimin në Mal Shëngjin!

Situata në vatrën problematike të zjarrit në fshatin Mal Shëngjin, sot paraqitet më e stabilizuar. Ministria e Mbrojtjes informoi lidhur me gjendjen më të fundit në vend nga zjarret.  MM bëri të ditur se forcat zjarrfikëse, të mbështetura nga ushtria, Policia e Shtetit, Shërbimi Pyjor, Zonat e Mbrojtura apo edhe forca vullnetare, nën kooordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile kanë punuar intensivisht në disa fronte për të shuar zjarret e rëna në disa zona të vendit.

Puna ka vijuar përgjatë gjithë natës pa ndërprerje në vatrën problematike në fshatin Mal Shëngjin, ku sot situata paraqitet më e stabilizuar. Veç ndërhyrjes së helikopterit Cougar nga ajri në mbështetje erdhën edhe dy avionët Canadair nga Italia, pjesë e ndihmës nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile.

MM thekson se, fatmirësisht nuk pati lëndime në njerëz, por vetëm dëme minimale në biznese përreth zonës së zjarrit, në  2 bare plazhi dhe çatia e një shtëpie.

Aktualisht është arritur izolimi i plotë i vatrave dhe po vijon operacioni për shuarjen përfundimtare të tij nga shërbimet zjarrfikëse, efektivët e Forcave të Armatosura, policisë, strukturat vendore të mbështetura edhe nga dy avionë Canadair të Italisë.

Po ashtu, nënvizon MM, vijon puna për shuarjen e zjarrit në fshatin Zavalinë, bashkia Elbasan për të cilin janë angazhuar  ditën e sotme strukturat e pushtetit vendor të mbështetura nga FA. Aktive janë zjarret në kodrat e liqenit të Viroit, bashkia Gjirokastër, zjarri mbi qytetin e Tepelenës, i cili ditën e sotme, si pasojë e erës së fortë ka dalë jashtë kontrollit. Janë angazhuar ditën e sotme për normalizimin e situatës strukturat vendore të mbështetura nga Forcat e Armatosura dhe një helikopter i FA.

Po punohet në fshatin Lozhan-Bode, bashkia Maliq, në fshatin Picar, bashkia Vorë në një objekt tregtar, në fshatin Ujanik, bashkia Skrapar.  Ndërsa situata në qarqet e tjera paraqitet relativisht e qetë.