Aktualitet

Zjarret/ Mbrojtja Civile bën ‘bilancin’ e 24 orëve: 9 vatra aktive, 18 u shuan!

Në të gjithë vendin kemi 9 vatra aktive zjarri, ndërsa përgjatë 24 orëve janë shuar 18 vatra, pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale. Mbrojtja Civile ka bërë bilancin e 24 orëve, ndërsa jep detaje edhe për vatrat aktive të zjarrit në vend.

Vijojnë të jenë aktive vatra e zjarrit midis fshatit Kakarriqit dhe fshatit Gjadër të Lezhës, si edhe zjarri në fshatin Zavaline në Elbasan.

Po në Elbasan, po punohet edhe për shuarjen e një tjetër vatre në Gostimë. Ekipet e emergjencave vijojnë punën për shuarjen e vatrave edhe në  zonën pyjore Bode, bashkia Maliq, në fshatin Kus, bashkia Tiranë, në fshatin Mushnik, bashkia Rrogozhinë, në fshatin Vorfë, bashkia Malësi e Madhe, në fshatin Salari, bashkia Tepelenë si dhe në parkun kombëtar Qafë Shtamë, bashkia Krujë.

Aktualisht vatrat nuk paraqesin rrezik për zona të banuara. Në operacionet për shuarjen e zjarreve në 24 orët e fundit janë angazhuar 599 forca operacionale dhe 452 mjete.