Bota

Zjarret katastrofike në Hauai, shkon në 67 numri i viktimave!

Në SHBA ka shkuar në 67 numri i viktimave nga zjarri vdekjeprurës në Hauai ndërsa zyrtarët vazhdojnë të përpiqen të përcaktojnë se çfarë e shkaktoi. Flakët që përfshinë Lahainan në ishullin Maui u përhapën me shpejtësi të frikshme e shkatërruan qytetin turistik historik.

Numri i viktimave pritet të rritet teksa ekipet e kërkimit vazhdojnë të kërkojnë në rrënojat e djegura të qytetit, pasi zjarri dogji 1 mijë ndërtesa dhe la mijëra të pastrehë. Zyrtarët thonë se është fatkeqësia më e rëndë natyrore në historinë e shtetit.

Guvernatori Josh Green paralajmëron se numri i viktimave do të rritet.

Do të ketë më shumë viktima. Nuk e dimë se sa do të jetë numri përfundimtar.

Mbetet e paqartë nëse banorët kishin marrë ndonjë paralajmërim para se zjarri t’iu përfshinte shtëpitë. Ishulli ka sirena alarmi për të paralajmëruar për fatkeqësi natyrore e kërcënime të tjera, por ato nuk duket të kenë rënë gjatë zjarrit.

Shefi i zjarrfikësve të qarkut të Mauit, Bradford Ventura tha se shpejtësia e zjarrit e bëri pothuajse të pamundur për ekipet e ndërhyrjes së shpejtë që normalisht duhet të japin urdhra evakuimi në kohë reale. Ai vuri në dukje edhe se shërbimi celular u ndërpre.

Kryetari i bashkisë, Richard Bissen deklaroi se nuk e dinte nëse ranë sirenat, por theksoi se zjarri u përhap jashtëzakonisht shpejt. Katastrofa filloi pak pas mesnatës të së martës kur u njoftua për një zjarr në qytetin Kula, afro 56 km nga Lahaina. Rreth pesë orë më vonë atë mëngjes, energjia u ndërpre në Lahaina.

Në përditësimet në Facebook, qarku Maui njoftonte se në Kula, zjarri kishte shkrumbuar qindra hektarë kullota, por një zjarr i vogël që përfshiu 1.2 hektarë në Lahaina ishte vënë nën kontroll.

Por, atë pasdite situata u bë më e rëndë kur zjarri në Lahaina mori vrull. Disa banorë filluan të evakuohen. Në orët në vijim, qarku postoi një seri urdhrash evakuimi në Facebook ndërsa zjarri u përhap në qytet. Disa dëshmitarë thanë se nuk ishin paralajmëruar në kohë dhe përshkruan tmerrin kur flakët përpinë Lahainan brenda disa minutash.

Disa njerëz u detyruan të hidheshin në Oqeanin Paqësor për të shpëtuar. Evakuimi i Lahainas u ndërlikua nga vendndodhja e saj mes bregdetit dhe kodrave, që do të thotë se në rastin më të mirë kishte vetëm dy rrugëdalje.

Ky është një skenar tmerri. Një zjarr i shpejtë në një vend me popullsi të dendur me komunikim të vështirë dhe jo shumë alternativa për sa u përket evakuimeve.

Ishulli ka gjashtë streha në funksionim për të zhvendosurit dhe zyrtarët thanë se po shohin hotele e objekte turistike. Dje, rreth 12 mijë e 400 shtëpi dhe biznese ishin pa energji.