Bota

Zjarre masive në Kanada, mijëra amerikanë këshillohen të përdorin maska!

Miliona njerëz në Amerikën e Veriut janë këshilluar të mbajnë maska kur dalin nga shtëpitë për shkak të cilësisë së dobët të ajrit, të shkaktuar nga zjarret intensive në Kanada. Sot në Nju Jork nis shpërndarja falas e tyre. Maskat duhet të mbahen kur njerëzit nuk mund të qëndrojnë në mjedise të mbyllura.

Edhe në fundjavë priten nivele të rrezikshme tymi, që kryesisht vjen nga Kebeku i Kanadasë, ku janë raportuar 150 zjarre. Mbi 15 mijë banorë pritet të evakuohen në këtë zonë. Ky vit ka thyer rekord për numrin e lartë të vatrave.

Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul tha se Nju Jorku do të shpërndajë falas një milion maska për banorët.

Kjo është situatë e përkohshme, nuk është COVID. Autobusët dhe trenat e qytetit të Nju Jorkut kanë sisteme të filtrimit të ajrit me cilësi të lartë ndaj janë mënyra të sigurta udhëtimi.

“Environment Canada” deklaroi se kushtet po përkeqësohen në Toronto pasi po shtohet sasia e tymit. Agjencia rekomandoi që të gjithë të mbajnë maska kur të jenë jashtë shtëpive.

Këto grimca të imëta paraqesin rrezikun më të madh për shëndetin. Megjithatë, respiratorët nuk e zvogëlojnë ekspozimin ndaj gazrave në tymin e zjarrit.

Cilësinë e ajrit në pjesën më të madhe të verilindjes së vendit, Agjencia Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit, EPA e klasifikoi si “të pashëndetshme”, veçanërisht për njerëzit me probleme të frymëmarrjes. Miliona njerëz në Amerikën e Veriut mendohet se janë në një formë paralajmërimi për cilësinë e ajrit.

Në Nju Jork, një mjegull portokalli mbuloi horizontin e qytetit dhe monumentet, përfshirë Statujën e Lirisë. Kopshtet zoologjike i kyçën kafshët në mjedise të mbyllura dhe në Nju Jork, u pezulluan shëtitjet me karroca me kuaj.

Një ditë më parë, shkollat në zonën e Uashingtonit anuluan gjithashtu aktivitetet në natyrë pasi nivelet e cilësisë së ajrit u përkeqësuan, ndërsa Detroiti u rendit si zona e pestë metropolitane më renditjen më të keqe në botë për ndotjen e ajrit.