Bota

Zjarr i përmasave të mëdha në Romë! Evakuohen banesat dhe selia e RAI-t, shtëllunga të mëdha tymi mbi qytet!

Një zjarr i përmasave të mëdha ka shpërthyer në Romë në zonën e Monte Mario, pas Gjykatës së Apelit që është përhapur në të gjithë zonën.

Shtëllunga të mëdha tymi duken nga pamjet, ndërsa katër ndërtesa, observatori astronomik dhe selia e RAI-t janë evakuuar.

Flakët janë shumë pranë shtëpive si dhe në Ponte di Nona pranë qendrës tregtare Roma Est.

Dhjetë ekipe zjarrfikëse kanë ndërhyrë me mbështetjen e dy cisternave dhe mjeteve të mbrojtjes civile. Në aksion për shuarjen e flakëve ka qenë edhe helikopteri Drago VF159. Evakuimi i ndërtesave ishte i nevojshëm për shkak të tymit të dendur dhe flakëve.

“Flakët ishin të forta që herët pasdite”, thanë disa banorë të Monte Marios, të cilët dolën në rrugë nga frika e zjarrit që po djeg kodrën dhe kërcënon shtëpitë.

“Pamë tymin e zi dhe të dendur, dëgjuam shpërthimet, u frikësuam dhe dolëm në rrugë”, shprehen ata.

Ekipe të shumta zjarrfikëse ndërhynë në vend rreth orës 13:00, ndërkohë që policia mbylli rrugët hyrëse në zonat Panoramica dhe Trionfale, gjithashtu rreth stadiumit Olimpik , për të lejuar shpëtimtarët të frenojnë zjarrin që kërcënon edhe disa banesa.