Goditje qendrore dhe gol. Goditje në kënd dhe gol. Dhe shumë punë “e pisët” në mesfushë. Piotr Zielinski është futur me “dhunë” mes protagonistëve të ndeshjes Inter-Juventus, për të cilën do të flitet gjatë.
Polaku u zgjodh nga trajneri Inzagi për të mbushur boshllëkun e lënë nga Hakan Çalhanoglu dhe e ka superuar me nota të larta provën e parë në “regji”. Pas aktivizimit nga stoli në Bernë duke u alternuar me Barelën përpara mbrojtjes në Champions, Zielinsku u impenjua për herë të parë si titullar në kampionat. Dhe në fakt bëri që Çalhanoglu të mos ndihej si për punën në mesfushë ashtu edhe për saktësinë nga pika e bardhë e penalltisë.
“Kam luajtur në këtë rol edhe në kombëtare, por roli im natyral është pak më përpara. Trajneri ma kërkoi dhe pranova. Sigurisht që preferoj të luaj diku i avancuar”, ka thënë polaku pas ndeshjes. Paraqitja e Zielinskit mund të konfirmohet pikërisht nga këto fjalë. Sakrificë. Një fantazist që duhet të luajë përpara mbrojtjes nuk është e lehtë.
Por ai ka kualitetin për të dalë nga situata të tilla. Interi për këtë e zgjodhi dhe bëri gjithçka për të parakaluar konkurrencën. Disa probleme fizike e kanë ndërlikuar së tepërmi nisjen e sezonit të tij me fanellën e Interit dhe ky është motivi pse nuk ka qenë shpesh titullar. Edhe ndaj Juventusit u largua nga fusha sepse kishte probleme fizike. Megjithatë, Interi ka një organizator më shumë.
Një lëvizje taktike që në fakt nuk mund të lërë kurrsesi të kënaqur Kristjan Asllanin. Pavarësisht se sipas mediave, Simone Inzagi e shihte atë si titullar kundër Juventusit, duket se mesfushori i Kombëtares shqiptare nuk ka qenë gati fizikisht. Ai ka humbur shansin në 3 ndeshje për të zëvendësuar Çalhanoglunë dhe ndoshta në të ardhmen mund t’i vështirësohet nga prezenca e Zielinskit. Megjithatë, Kristjan ka besimin e Inzagit dhe të klubit kampion të Italisë.