Bota

Zhvendosja e paqeruajtësve në Liban, OKB-ja i thotë “JO” Izraelit!

Forcat paqeruajtëse të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, OKB në Liban thanë sot se nuk do të lënë pozicionet e tyre në jug, pavarësisht se bënë të ditur se Izraeli iu ka kërkuar që të “zhvendosen”.

Më 30 shtator, ushtria izraelite ka njoftuar forcat paqeruajtëse në lidhje me qëllimin e saj për të ndërmarrë një inkursion të kufizuar tokësor në Liban. Ata na kanë kërkuar që ne të zhvendosemi nga disa pozicione, njoftoi Forca e Përkohshme e OKB-së në Liban.

Paqëruejtësit vazhdojnë të jenë në të gjitha pozicionet dhe flamuri i OKB-së vijon të valëvitet. Ne rregullisht ndryshojmë pozicionin e veprimet tona, si dhe kemi plane të gatshme, të cilat mund të zbatohen nëse është e nevojshme, u theksua në njoftim.

Izraeli ka intensifikuar fushatën e tij kundër Hezbollahut, grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit. Kjo ndodh që nga 23 shtatori kur janë vrarë më shumë se 1 mijë e 110 persona dhe duke detyruar qindra mijëra që të largohen nga shtëpitë e tyre.

Më herët gjatë kësaj jave, Izraeli njoftoi se ka nisur një ofensivë të kufizuar tokësore në jug të Libanit, kundër grupit militant Hezbollah. Hezbollahu është shpallur “organizatë terroriste” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Bashkimi Europian ka vendosur në listën e zezë vetëm krahun e tij të armatosur, por jo partinë politike.

Ne vazhdojmë t’iu bëjmë thirrje Libanit dhe Izraelit që të riangazhohen për rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit me vepra e jo vetëm me fjalë. Kjo si zgjidhja e vetme për të risjellë stabilitetin në rajon, tha forca e OKB-së.

Rezoluta 1701 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që i dha fund luftës së vitit 2006 midis Izraelit dhe Hezbollahut, thotë se vetëm ushtria e Libanit e paqeruajtësit e OKB-së duhet të dislokohen në jug të Libanit.

Një sulm izraelit në një kamp refugjatësh në veri të Libanit la të vrarë një komandant të Hamasit. Hera e parë që Izraeli sulmon në këtë zonë që nga nisja e luftës në Gaza, më 7 tetor të vitit të kaluar. Saeed Attallah Ali, bashkëshortja dhe dy vajzat e çiftit u vranë nga bombardimet në shtëpinë e tyre në kampin Bedavi.

Vazhdimisht, Izraeli ka shënjestruar anëtarët e Hamasit në Liban që kur nisi lufta në Gaza, thuajse një vit më parë. Që atëherë, të paktën 18 anëtarë të grupit radikal palestinez janë vrarë atje. Në territorin libanez ka dhjetëra kampe refugjatësh të ngritur për të strehuar palestinezët e larguar gjatë luftës së vitit 1948, rreth kohës kur u krijua Izraeli.