Mes personave të zhdukur pas mbytjes së superjahtit Bayesian në Palermo është edhe sipërmarrësi britanik Mike Lynch, i njohur si “Bill Gates britanik”. Lajmi u bë i ditur nga Financial Times. Ish-CEO i kompanisë “Autonomy Corporation”, 59-vjeçari Lynch konsiderohet si një nga sipërmarrësit më të rëndësishëm në sektorin e teknologjisë. Vitet e fundit ai ka qenë i përfshirë në një betejë të gjatë ligjore që filloi në 2018 dhe përfundoi në gjykatë në San Francisko qershorin e kaluar.
I akuzuar për mashtrim në shitjen e “Autonomy Corporation”, tek HP (Heëlett-Packard), ai dyshohej se kishte fryrë të dhënat ekonomike për të përfunduar shitjen e kompanisë në avantazhin e tij. Sidoqoftë, qershorin e kaluar, të gjitha akuzat (15 akuza) ranë poshtë, duke shfajësuar plotësisht Mike Lynch.
Miliarderi, i rritur në Essex, Lynch ka një doktoraturë në Kembrixh dhe përveçse ka themeluar “Autonomy Corporation” në mesin e viteve ’90, ai është një nga njerëzit më të rëndësishëm në skenën britanike të industrisë së teknologjisë. Në vitin 2006 ai mori titullin kalorës i Urdhrit të Perandorisë Britanike për shërbime ndaj sipërmarrjes, dy vjet më vonë ai u emërua anëtar i Akademisë Mbretërore të Inxhinierisë, shërbeu në grupin shkencor të Shoqërisë Mbretërore dhe shërbeu në komiteti shkencor për industrinë britanike të teknologjisë nën kryesinë e David Cameron.
Mike Lynch ndodhej në jahtin që u përmbyt në sicili bashkë me gruan e tij e cila arriti të shpëtonte. Superjahti, 56 metra i gjatë, u mbyt gjatë një udhëtimi nga SHBA me 22 persona në bord me kombësi kanadeze, amerikane, zelandeze, irlandeze dhe franceze-angleze.