Aktualitet

Zhbllokimi i Aeroportit të Rinasit, ministri Peleshi: “Kontrollorë të huaj si alternativë”

Me zhvillimet e fundit që kanë paralizuar Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit pasi kontrollorët e trafikut ajror ndërprenë punën duke kundërshtuar përgjysmimin e pagave, po kërkohen alternativa. Që të mund të rinisin fluturimet, nga autoritetet po shqyrtohet mundësia e zëvendësimit e kontrollorëve me të huaj apo vendas.

Si drejtues i Komitetit të Mbrojtjes Civile, Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi zbardhi vendimet e marra në një mbledhje urgjente të thirrur prej tij në orët e vona të natës për të diskutuar situatën e jashtëzakonshme të krijuar në Rinas.  Sipas Peleshit, ky Komitet i përbërë nga disa ministra, mori një vendim me tre pika:

Pika e parë ngarkon Ministren e Infrastrukturës për marrjen e masave të nevojshme, që të bëhet i mundur rikthimi i punës, edhe duke zëvendësuar kontrollorët, qoftë me të huaj, qoftë me vendas; të përcaktohen kriteret e licencimit për të rinisur fluturimet sa më parë dhe të bëhet çfarë është e nevojshme për rifillimin gradual të punës.

Peleshi deklaroi se nuk mund të mbetemi peng i asaj që e cilëson “lojë politike”.

Njerëzit kanë shumë pikëpyetje, kur do të vijnë, kur do të ikin, priten vaksinat. E vlerësuam si kërcënim për mbrojtjen civile, ndaj morëm këtë vendim.

Nga Qeveria janë kontaktuar homologë partnerë të NATO-s, për t’iu kërkuar ndihmë me kontrollorë të trafikut ajror, të cilët janë të certifikuar nga Eurocontrol.