Celebrities Film & Tv Showbiz

“Zgjoi” nuk nominohet për “Oscars 2022”, vjen reagimi i aktores kryesore të filmit, Yllka Gashit!

Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit njoftoi se ditën e kaluar do të bëhej përzgjedhja e filmave të nominuar për “Oscars 2022″. Pjesë e listës së ngushtë në kategorinë “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj” ishte edhe filmi shqiptar “Zgjoi (Hive)” i regjisores Blerta Basholli, i cili ishte propozim i Kosovës për në nominimet e “Oscars 2022”.

Fatkeqësisht “Zgjoi” nuk arriti dot që të nominohej. Filmi i regjisores Blerta Basholli me protagoniste kryesore aktoren Yllka Gashi, përshkruan historinë e vërtetë e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe. Me gjithë zhgënjimin e përjetuar, aktorja e cila luan rolin kryesor në film bëri një postim në llogarinë e saj në Facebook, duke i falënderuar të gjithë ata që e mbështetën filmin “Zgjoi” gjatë gjithë rrugëtimit të tij.

“Zgjoi” që e punuam me shumë pasion e përkushtim, na hapi dyer e na e mundësoi jo vetëm të kemi shpërthim ndërkombëtar në karrierat tona, por edhe ta promovojmë Kosovën e suksesin e grave të Kosovës! “Zgjoi” na solli gëzim e na bëri krenarë të gjithëve dhe shkroi histori te re për kinematografinë tonë! Ishte dhe mbetet rrugëtim i bukur e i paharruar, për të cilin jam shumë falenderuese! Falemnderit shumë që u gëzuat për ne e për dashurinë e përkrahjen e jashtëzakonshme që na e keni dhënë prej një viti! Jam e bindur që në vitet në vijim filmi kosovar do të bëjë histori duke u nominuar e fituar në edicionet e ardhshme të Akademisë. Kosova ka shumë talent e rrëfime autentike të cilat duhet t’i tregojmë! Edhe njëherë falemnderit nga zemra.

“Zgjoi” që e punuam me shumë pasion e përkushtim, na hapi dyer e na e mundësoi jo vetëm të kemi shpërthim ndërkombëtar…

Posted by Yllka Gashi on Tuesday, February 8, 2022

Në këtë kategori u nominuan “Drive My Car” (Japonia) Ryusuke Hamaguchi, “The Hand of God” (Italia) Paolo Sorrentino, “Flee” (Danimarka) Jonas Poher Rasmussen, “Lunana: A Yak in the Classroom” (Butani) Pawo Choyning Dorji dhe “The Worst Person in the World” (Norvegjia) Joachim Trier.

“Zgjoi” tregon historinë e vërtetë të Fahrijes (Yllka Gashit), e cila, si shumë gra të tjera në fshatin e saj patriarkal, ka jetuar me shpresë të zbehur dhe pikëllim në rritje që kur burri i saj u zhduk gjatë luftës në Kosovë në fund të viteve 1990. Për të siguruar jetesën e familjes së saj në vështirësi, ajo mbledh të vejat e tjera në komunitetin e saj për të nisur një biznes duke shitur ajvar, një produkt ushqimor vendas nga specat dhe patëllxhanët dhe së bashku ato gjejnë shërim dhe ngushëllim duke menduar për një të ardhme pa burrat e tyre.