Një grup shkencëtarësh besojnë se mund të kenë zgjidhur misterin se si 31 piramida, përfshirë kompleksin me famë botërore të Gizës, u ndërtuan në Egjipt më shumë se 4000 vjet më parë. Ekipi hulumtues nga Universiteti i Karolinës së Veriut pretendon se piramidat ka të ngjarë të jenë ndërtuar përgjatë një dege të lashtë të lumit Nil, e cila tani është zhdukur apo mund të jetë nën shkretëtirë apo tokë bujqësore.
Për shumë vite, arkeologët kanë menduar se egjiptianët e lashtë duhet të kenë përdorur një rrugë ujore aty pranë për të transportuar blloqet gjigante të gurit të nevojshme për të ndërtuar piramidat. Por deri më tani, askush nuk ishte i sigurt për vendndodhjen, formën, madhësinë ose afërsinë e kësaj dege ujore.
Në një përpjekje ndër-kontinentale, grupi i studiuesve përdori imazhe satelitore me radar, harta historike, studime gjeofizike dhe bërthama të sedimentit për të hartuar degën e lumit që ata besojnë se ishte “zhdukur” nga thatësirat e mëdha dhe stuhitë rëre mijëra vjet më parë.
Ekipi zbuloi se dega e lumit, e quajtur Ahramat, që do të thotë piramida në arabisht, ishte afërsisht 64 km e gjatë dhe midis 200-700 m e gjerë. Zbulimi i kësaj dege lumi të zhdukur ndihmon për të shpjeguar dendësinë e lartë piramidale midis Gizës dhe Lishtit, në atë që tani është një zonë jomikpritëse e shkretëtirës sahariane. Afërsia e degës së lumit me komplekset piramidale sugjeron se ajo ishte aktive dhe funksionale gjatë fazës së ndërtimit të këtyre piramidave.