Misteri i Trekëndëshit të Bermudës ka ‘ngacmuar’ imagjinatën e njerëzve për shumë vite, por duket se tani ka ardhur koha për të sqaruar çështjen. Ky rajon, që ndodhet mes Floridës, Puerto Rikos dhe Bermudës, është bërë i njohur për ngjarjet e pazgjidhura, pasi shumë anije dhe avionë që kanë hyrë në këtë zonë janë zhdukur papritur.
Trekëndëshi i Bermudës mbulon një sipërfaqe prej rreth 700,000 kilometra katrorë dhe është një nga zonat më të ngarkuara për trafikun ajror dhe detar. Për vite me radhë, kanë qarkulluar teori të ndryshme konspirative, duke sugjeruar se misteret e këtij rajoni mund të lidhen me fuqi të mbinatyrshme ose madje me jashtëtokësorë.
Megjithatë, shkencëtarët kanë ofruar shpjegime më të thjeshta dhe më të mundshme për zhdukjet që kanë ndodhur në këtë rajon. Karl Kruszelnicki, një shkencëtar australian, ka thënë se shumë nga ngjarjet e pazgjidhura në Trekëndëshin e Bermudës mund të shpjegohen me gabime njerëzore dhe kushte të keqia të motit, veçanërisht duke pasur parasysh që ky rajon është i afërt me ekuatorin dhe është një zonë me shumë trafik.
Kruszelnicki gjithashtu ka theksuar se numri i zhdukjeve në Trekëndëshin e Bermudës nuk është më i madh se në çdo tjetër rajon të ngarkuar të botës, duke përfshirë edhe Trekëndëshin e Alaskës. Sipas të dhënave nga Lloyd’s of London dhe Coastguard US, përqindja e zhdukjeve është e ngjashme me atë që ndodh në çdo pjesë tjetër të ngarkuar të oqeanit.
Një nga rastet më të famshme është zhdukja e “Flight 19” në vitin 1945, ku pesë avionë të ushtrisë amerikane humbën pa lënë asnjë gjurmë. Pas shumë spekulimeve, historiani Larry Kusche publikoi në vitin 1975 një hetim, duke zbuluar se zhdukja e fluturimit ishte shkaktuar kryesisht nga kushte të këqija të motit.