Aktualitet

Zgjerohet tregtia me rajonin, rriten eksportet me Kosovën!

Tregtia e Shqipërisë me rajonin zuri 10% të vëllimit të shkëmbimeve në muajin maj. Sipas të dhënave të INSTAT, Kosova është partneri kryesor i eksporteve dhe shteti me bilancin më pozitiv me shtesë 2.7 mld lekë, ndërsa në krahun e importeve, shumicën e blerjeve e bëjmë në Serbi, vend me të cilin kemi një deficit rreth 645 mln lekë.

Ndërkohë me fqinjët e Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje-Hercegovinën, Shqipëria rezulton me suficit tregtar.

Sipas shifrave, Shqipëria ka rritur eksportet në vlerë vetëm me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën me të cilat shkëmbeu respektivisht 3.8 mld lekë dhe 1.3 mld lekë, ndërsa në të gjitha vendet e tjera të rajonit vlera e eksporteve ka rënë.

Sa i përket importeve në vlerë Shqipëria ka forcuar marrëdhëniet vetëm me Kosovën, nga i cili morëm 1.15 mld lekë mallra ose  9% më shumë se një vit më parë, ndërsa me vendet e tjera vlera e importeve ka shënuar rënie nga 11% me Malin e Zi deri në 33% me Serbinë.