Në superstradën Tiranë-Durrës po punohet lidhur me zgjerimin e trupit të rrugës me nga dy korsi në secilën anë, ku njëra prej tyre do të shërbejë për emergjencat, duke bërë që në përfundim të punimeve, superstrada të ketë nga katër korsi në secilin drejtim. Punimet për zgjerimin filluan në dy lotet e para e që janë kthesa Kamzë-Vorë e më tej Vorë-Sukth.
Në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm janë parashikuar edhe financimet për këto dy lote në një vlerë prej më shumë se 1 miliard lekësh. Për lotin e tretë, financimi nis në vitin 2026 ndërsa për lotet 4 dhe 5, në vitin 2027.
Për ndërtimin e lotit të parë, nga kthesa Kamzës deri në Vorë, për vitin 2025, parashikohet një fond prej 496 milion lekësh teksa për ndërtimin e lotit të dytë do të financohen 536 milion lekë. Financimi i këtyre dy loteve do të vijojë edhe në vitet 2026 e 2027.
Punimet për superstradën Tiranë-Durrës janë ndarë në pesë lote dhe kostoja totale në buxhet llogaritet 10 miliardë lekë.
Superstrada Tiranë-Durrës (e njohur në vend që prej viteve ’90 si “Autostrada”) që fillon nga mbikalimi i Kamzës deri tek Ura e Dajlanit në Durrës është një nga arteriet kryesore dhe më të rëndësishme të vendit. Kjo superstradë lidh dy qendrat më të mëdha administrative, industriale, kulturore e turistike të Shqipërisë, si dhe korridoret Veri-Jug dhe atë Lindje-Perëndim.
Po ashtu, një pjesë e kësaj rruge, segmenti Vorë-Durrës është arteria kryesore e korridorit Durrës-Kukës-Morinë, i cili në rrjetin europian të rrugëve emërohet E851. Korridori Veri-Jug lidhet me superstradën në qytetin e Vorës nëpërmjet segmentit E762.
Ndërkaq, korridori Lindje-Perëndim fillon në Qafë-Thanë dhe vazhdon më pas në qytetet Librazhd, Elbasan, Tiranë (E852) e përfundon në qytetin e Durrësit.
Prej vitesh, në këtë segment rrugor ka pasur dëmtime të shtresave rrugore, çarje, ulje e gropëzime në gjatësi të konsiderueshme në të dy anët e rrugës dhe veçanërisht në korsitë anësore (sidomos atë Vorë-Durrës).