Ushtria izraelite ka paralajmëruar banorët që të evakuohen nga komunitete në jug të Libanit që janë jashtë zonës të shpallur neutrale nga Kombet e Bashkuara, duke sinjalizuar se do të zgjerojë ofensivën tokësore të nisur më herët gjatë kësaj jave kundër Hezbollahut, grupit militant që është edhe parti politike dhe që kontrollon shumicën e Libanit jugor.
Forcat izraelite thanë se kanë goditur rreth 200 caqe të Hezbollahut në mbarë Libanin, përfshirë depo të armëve dhe pika të kontrollit. Sulmet ajrore kanë vazhduar gjatë natës dhe ka pasur një seri shpërthimesh masive në periferi të Bejrutit.
Luftimet kanë detyruar pothuajse 1.2 milion persona të largohen nga shtëpitë e tyre në Liban, sipas zyrtarëve në Liban.
Të paktën nëntë ushtarë izraelitë janë vrarë gjatë përleshjeve me militantët e Hezbollahut në jug të Libanit, ku Izraeli nisi më herët gjatë kësaj jave atë që tha se ishte një ofensivë e kufizuar tokësore.
Agjencia shtetërore e lajmeve në Liban tha se “më shumë se 10 sulme të njëpasnjëshme” kanë goditur caqe në periferi të Bejrutit, duke thënë se sulmet e fundit ishin “ndër më të fuqishmet” që kur Izraeli ka nisur ofensivën në Liban.
Ushtria izraelite nuk ka komentuar lidhur me cakun e sulmeve, por disa media dhe analistë kanë spekuluar se vendndodhja dhe madhësia e sulmit kanë lënë të kuptohet se personi i shënjestruar mund të ketë qenë Hashem Safieddine, i cili gjerësisht konsiderohet si personi që mund ta marrë udhëheqjen e Hezbollahut.
Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.
Në javët e fundit, sulmet ajrore izraelite në Liban kanë vrarë udhëheqësin e Hezbollahut Hassan Nasrallah, dhe disa komandantë të lartë. Qindra sulme të tjera ajrore në pjesë të ndryshme të Libanit të kryera që nga mesi i shtatorit kanë vrarë të paktën 1.276 persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Libanit.
Pothuajse 2.000 persona janë vrarë dhe më shumë se 9.000 janë plagosur në Liban që kur nisën luftimet pothuajse një vit më parë.
Shumica e sulmeve izraelite janë kryer në zonat ku Hezbollahu ka prani të madhe.
Hezbollahu dhe Izraeli kanë këmbyer zjarr pothuajse në baza ditore në zonën kufitare që nga tetori i vitit të kaluar, kur nisi lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.
Frika është rritur se konflikti mund të zgjerohet, teksa Irani, armiku i përbetuar i Izraelit, më herët gjatë javës gjuajti pothuajse 200 raketa drejt Izraelit në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e udhëheqësve të lartë të Hezbollahut.