Bota

Zgjerimi i luftës, Pentagoni dërgon trupa shtesë në Lindjen e Mesme!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po dërgojnë një numër të vogël trupash shtesë në Lindjen e Mesme pas një intensifikimit të luftimeve mes Izraelit dhe militantëve të Hezbollahut në Liban. Njoftimin e dha zëdhënësi i Pentagonit, gjeneralmajori Pat Ryder. Por, Ryder nuk ofroi hollësi të tjera mbi numrin e forcave apo rolin e tyre në rajonin e Lindjes së Mesme.

Megjithatë, një zyrtar i lartë amerikan i tha Zërit të Amerikës se mund të bëhet fjalë për dhjetëra trupa dhe detyra e tyre kryesore do të jetë përgatitja për një evakuiim të mundshëm të qytetarëve amerikanë, nëse do të shpërthente një luftë edhe më e madhe rajonale.

Një zyrtar tjetër i Uashingtonit theksoi se “situata ende nuk ka arritur në pikën kur me ndihmën e ushtrisë nevojitet një evakuuim i shtetasve amerikanë nga rajoni”.

Nëse duhet një evakuiim i tyre mund të përdoret një kontigjent i marinsave amerikanë që tashmë ndodhen atje dhe mund të realizojë këtë detyrë, i tha Zërit të Amerikës një tjetër zyrtar. Të gjithë folën në kushte anonimiteti.

Në përgjigje të një pyetjeje të Zërit të Amerikës, Ryder iu tha gazetarëve se Pentagoni është një “organizatë planifikuese” e përgatitur për një “një numër të madh rastësish”, nëse kërkohet ndihma e ushtrisë amerikane.

Ne kemi prani më të madhe në rajon sot se sa më 14 prill kur Irani kreu sulmin e tij me dron dhe raketa kundër Izraelit.

Njoftimi pason sulmet izraelite ndaj pozicioneve të Hezbollahut brenda Libanit, në të cilat u vranë qindra njerëz. Departamenti i Shtetit ka paralajmëruar qytetarët amerikanë që të largohen nga Libani për shkak të rritjes së rrezikut të një lufte rajonale.

Të paktën 492 persona janë vrarë si pasojë e bombardimeve të ashpra izraelite ndaj shënjestrave të Hezbollahut në Liban. Bilancin e përditësoi sot Ministria libaneze e Shëndetësisë. Një ditë më parë, ushtria e Izraelit kreu sulme të mëdha intensive ndaj Hezbollahut, grupit militant pro iranian, të shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E djeshmja ishte dita më vdekjeprurëse e konfliktit atje në 20 vitet e fundit.

Mijëra familje kanë ikur nga shtëpitë e tyre, gjithashtu. Ushtria izraelite raportoi se goditi 1.600 objektiva të Hezbollahut, në përpjekje për të shkatërruar infrastrukturën që ky grup i armatosur e pati ndërtuar pas luftës së vitit 2006.

Ndërkohë, Hezbollahu u përgjigj duke hedhur mbi 200 raketa drejt veriut të Izraelit, referuar ushtrisë. U raportua për dy të plagosur. Fuqitë botërore kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje, pasi të dyja palët duket se po shkojnë drejt një luftë të përgjithshme.