Aktualitet

Zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës, pemët spostohen në Parkun e Liqenit!

Në autostradën Tiranë-Durrës ka nisur puna për zgjerimin e trupit të rrugës me nga dy korsi në secilën anë, ku njëra do të shërbejë për emergjencat. Kryeministri Edi Rama bën të ditur se fillimisht po kryhet spostimi i pemëve nga Bashkia e Tiranës në disa pika, duke filluar nga Parku i Liqenit.

Puna për zgjerimin e rindërtimin e autostradës Tiranë-Durrës ka nisur me spostimin e fondit të saj të gjelbër nga bashkia e Tiranës në disa pika, duke filluar nga Parku i Liqenit, u shpreh Rama në një postim në rrjetet sociale, ku publikoi edhe pamje të kantierit.

Puna për zgjerimin e autostradës ka nisur në dy lotet e para, kthesa Kamzës-Vorë dhe Vorë-Sukth, për të cilët janë shpallur edhe fituesit. Zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës me nga dy korsi në secilën anë, ku njëra do të shërbejë për emergjencat do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 298.8 milion euro.

Por kjo nuk është rruga e vetme e re që do të zgjerohet, pasi për vitet 2025-2027 priten të tjera projekte të mëdha. Konkretisht, rruga e re Tiranë-Ndroq-Plepa, që mund të shërbejë si alternativë nëse autostrada Tiranë-Durrës bëhet me pagesë, pritet të kushtojë 87 milion euro. Ndërkaq, projekti për by-pass/in e Elbasanit që është futur në listën e prioriteteve të maturuara do të kushtojë 240 milion euro.

Një tjetër rrugë e rëndësishme është Elbasan-Lekaj, e parashikuar të kushtojë 360 milion euro. Nga lista e prioriteteve të maturuara u hoq Aeroporti i Sarandës pasi ka ndryshuar vendndodhja për në Gjirokastër dhe është shtuar projekti i ri i by-pass/it të Sarandës, me vlerë 34 milion euro.

Lista fillestare e prioriteteve ka ndryshuar jo vetëm për vlerat por edhe për projektet që janë shtuar ose hequr. Në dokumentin e miratuar në mars 2024, projekt i maturuar, pra në fazë të avancuar ishte edhe hidrocentrali i Skavicës, por me ndryshimet e bëra, Skavica me vlerë investimi 800 milion euro kaloi në listën e projekteve pjesërisht të maturuar.

Në dokumentin e ri janë 51 projekte prioritare të maturuara në fazë të avancuar pasi ka përfunduar studimi i fizibilitetit apo studime të tjera të projektit, vlera e të cilave kapërcen 4.5 miliardë euro.