Aktualitet Bota Politikë

Zgjedhjet presidenciale në SHBA, Trump shpall fitoren në Michigan, Harris e telefonon duke pranuar humbjen

Donald Trump ka shpallur fitoren dhe në Michigan, shtet që ka 15 vota elektorale. Nga 99 përqind e votave të numëruara, Trump ka marrë 49.75 përqind. Harris nga ana tjetër mori 48.27 përqind të votave.

Michigani ka qenë një nga fushat e betejave më të kontestuara të vendit dhe shteti që ndihmoi Trump të arrinte një fitore të papritur në vitin 2016. Ky shtet ishte parë si një shtyllë e rrugës së Harris për të mbajtur Shtëpinë e Bardhë në duart e demokratëve. Asnjë demokrat nuk e ka fituar Shtëpinë e Bardhë pa Michigan që nga Jimmy Carter në vitin 1976.

Deri tani, Donald Trump ka marrë 294 vota elektorale, ndërsa Harris 223.  Për të qenë president i Amerikës, nevojiten 270 vota elektorale, prag që është kapërcyer nga Trump.

Zëvendëspresidentja Kamala Harris ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve duke telefonuar Donald Trump për ta uruar për fitoren.

Kjo telefonatë i jep fund zyrtarisht garës së ashpër mes zëvendëspresidentit dhe ish-presidentit.

Zëdhënësja tha se ajo theksoi rëndësinë e një ndryshimi paqësor të pushtetit.
Harris pritet të mbajë fjalimin e saj të koncesionit në Howard më vonë këtë pasdite.