Showbiz

Zgjedhjet presidenciale në SHBA, Kanye West pranon publikisht humbjen

Dorëzohet më në fund, Kanye West. Reperi ka pranuar humbjen në zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve, pasi mori pak më shumë se 57 mijë vota. Megjithatë, reperi ka lënë të kuptohet se pas 4 vjetësh do të kandidojë sërish. West, publikoi në Twitter një foto në të cilën shfaqej përpara një harte elektorale shoqëruar me mbishkrimin: “Welp Kanye 2024”.

West votoi për veten e tij në këto zgjedhje, megjithëse kjo votë quhet e pavlefshme. Reperi, publikoi në Twitter ditën e djeshme një video të tij duke plotësuar fletën e votimit në një vend në Park County, ku ai ka dhe një fermë.

”Zoti është aq i mirë. Sot unë jam duke votuar për herë të parë në jetën time, për Presidentin e Shteteve të Bashkuara, për dikë që me të vërtetë i besoj…mua”,-u shpreh Kanye.

Kanye u përfshi në votime në disa shtete, por jo në fushëbetejat kryesore si Florida, Pensilvani apo Michigan. Sipas “Associated Press”, reperi ka marrë më shumë vota në Tennessee, 10.188. West, është shprehur se ai e ka marrë këtë gjë si një shenjë nga Zoti që në vitin 2015-të dhe nuk e kishte besuar më parë se mund të kandidonte ndonjëherë për President të SHBA-ve.