Bota

Zgjedhjet presidenciale në Lituani/Favorit është pro-ukrainasi Nauseda!

Lituanezët janë thirrur që të votojnë sot që të mund të zgjedhin kreun e ri të shtetit, ndërsa presidenti aktual Gitanas Nauseda konsiderohet dukshëm si një favorit kryesor. Tetë kandidatë janë në një garë të drejtpërdrejtë mes tyre. Nëse asnjë prej emrave në këtë garë nuk arrin dot të sigurojë një shumicë absolute, dy pretendentët kryesorë shkojnë në balotazhin që organizohet dy javë më vonë.

Gitanas Nauseda kandidon për një mandat të dytë 5-vjeçar në krye të shtetit. 59-vjeçari me profesion ekonomist, njihet si një mbështetës i vendosur i Ukrainës.

Me pothuajse 2.5 milion persona me të drejtë vote në Lituani, rezultatet e para të zgjedhjeve presidenciale priten që të dalin sot në mbrëmje. Ndërsa në këtë vend, kryetari i shtetit kryesisht kryen detyra përfaqësuese, duhet theksuar se  posti përfshin edhe të drejtën e mendimit në politikën e jashtme e atë të mbrojtjes. Po ashtu, presidenti është komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura.

Lituania kufizohet me enklavën ruse të Detit Baltik të Kaliningradit dhe aleatin e Rusisë, Bjellorusinë. Vendi i Bashkimit Europian dhe gjithashtu anëtar i NATO-s njihet si një nga mbështetësit më të vendosur të Ukrainës, e cila ka mbrojtur veten kundër pushtimit rus në shkallë të plotë për më shumë se dy vjet e vijon luftën me trupat e Moskës që sa vijnë e intensifikojnë sulmet, duke synuar dhe infrastrukturën energjetike.

Që nga viti 2017, vendi i vogël baltik ka pritur një grup pune të NATO-s të udhëhequr nga Gjermania e që në total përfshin rreth 1 mijë e 600 trupa. Bëhet e ditur se Berlini zyrtar ka planifikuar të vendosë në mënyrë të përhershme një brigadë të gatshme luftarake që përfshin deri në 5 mijë ushtarë në Lituani.

Po sot, votuesit në Lituani duhet që të vendosin në një referendum në lidhje me futjen e dyshtetësive. Mbetet të shihet nëse do të votojnë pro ose kundër.