Bota

Zgjedhjet politike të 26 tetorit në Gjeorgji me rëndësi kyçe!

Votuesit gjeorgjianë janë thirrur të votojnë më 26 tetor në zgjedhjet parlamentare, që të gjitha palët i shohin si një udhëkryq në historinë moderne të shtetit. Tensionet janë rritur para tyre e pa ndonjë sondazh të besueshëm, gjithkush mund të hamendësojë për rezultatin e tyre.

Partia Endrra Gjeorgjia është në pushtet nga viti 2012 e po kërkon një tjetër mandat 4-vjeçar. Këto votime, i konsideron si zgjedhje mes paqes dhe luftës. Mesazhi i fushatës së saj është mbizotëruar nga argumenti që nëse opozita merr pushtetin, atëherë ajo do ta fusë Gjeorgjinë në luftë me Rusinë.

Rusia kundrejt Perëndimit

Për opozitën, votimet paraqesin zgjedhje mes Perëndimit apo Rusisë dhe mes demokracisë apo autoritarizmit. Kësaj narrative i kanë bërë jehonë edhe zyrtarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e në Europë.

Zgjedhjet do të jenë momenti i së vërtetës dhe populli gjeorgjian duhet të vendosë se në çfarë drejtimi do që të shkojë: drejt Europës apo të ndahet nga Europa, tha shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell. E ardhmja e shtetit është në pyetje.

Kthimi prapa i demokracisë

Votimet do të mbahen në një periudhë jashtëzakonisht të trazuar edhe për standardet politike gjeorgjiane. Gjithnjë e më shumë, Endrra Gjeorgjiane ka përqafuar një retorikë antiperëndimore dhe ka miratuar ligje polemizuese që ky subjekt i ka justifikuar si mjete për të luftuar ndikimin e huaj në shtet.

Në mesin e ligjeve të miratuara, përfshihet ai që ndalon “propagandën LGBT” dhe kërkesën që organizatat joqeveritare e mediat që marrin fonde nga jashtë, të regjistrohen si “agjentë të huaj”. Ligji i fundit nxiti protesta të mëdha në Gjeorgji pranverën e këtij viti.

Zgjedhjet do të mbahen bazuar në një sistem të ri zgjedhor, sipas së cilit, partitë apo koalicionet duhet të kalojnë pragun prej 5% që të hyjnë në Parlament. Kjo ka motivuar shumë parti opozitare të Gjeorgjisë që të bashkëpunojnë deri në njëfarë mase për të formuar koalicione, në mënyrë që të kenë shans të kalojnë pragun.

Të gjitha forcat opozitare nënshkruan “Kartën Gjeorgjiane” të prezantuar nga presidentja Salome Zourabichvili. Përmes saj, ranë dakord që në rast se opozita fiton, do ta lejojnë të formojë një qeveri teknike që do të rivendoste raportet e mira me Perëndimin dhe do të zhbënte shumicën e ligjeve autoritare që Endrra Gjeorgjiane ka miratuar me shpejtësi.