Bota

Zgjedhjet për PE-në, sot radha e Çekisë e Irlandës!

Qendrat e votimit për zgjedhjet e Parlamentit Europian, hapen në Republikën Çeke e në Irlandë, sot në ditën e dytë të këtij procesi. Përgjatë katër ditëve sa zgjasin këto zgjedhje, mund të votojnë 360 milion shtetas të 27 vendeve anëtare të bllokut europian. Në Irlandë, partia opozitare, Sinn Fein synon t’i shfrytëzojë votimet për të rritur mbështetjen para zgjedhjeve kombëtare që pritet të mbahen vitin e ardhshëm.

Votoni për Sinn Fein të premten, si hap i parë drejt ndryshimit të qeverisjes, tha liderja e partisë, Mary Lou McDonald.

Irlanda ka 14 vende të rezervuara në Parlamentin Europian. Në këtë shtet, qytetarët janë të shqetësuar për rritjen e numrit të azilkërkuesve, ndaj dhe është rritur numri i kandidatëve të pavarur që kanë dalë me premtimet për politika më të ashpra ndaj emigracionit.

Në Republikën Çeke, zgjedhjet zhvillohen sot dhe nesër e ka 21 vende të rezervuara në Parlamentin Europian. Partia opozitare ANO, pritet t’iu afrohet shifrave të atyre që aktualisht janë në pushtet, sipas agjencisë çeke të sondazheve, STEM.

Duke qenë zgjedhjet e para pas pandemisë së koronavirusit, nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, valës së emigrantëve, si dhe rritjes së rreziqeve prej ndryshimeve të klimës, këto votime po konsiderohen tejet të rëndësishme për të ardhmen e Parlamentit Europian. Hera e parë që mbahen zgjedhje të tilla pa Britaninë e Madhe, që zyrtarisht u largua nga BE-ja në vitin 2020.

Holanda ishte shteti i parë që dje nisi votimet. Nesër, procesi vijon edhe në Itali, Letoni, Maltë e Sllovaki. Pjesa tjetër e shteteve, votojnë të dielën.

Parlamenti është trupi i vetëm i BE-së që përfaqëson shtetasit e vendeve anëtare. Funksioni i tij primar përfshin negocimin e ligjeve të Unionit me anëtarë të qeverive, që përfaqësohen prej Këshillit Europian.

Po ashtu, Parlamenti Europian miraton buxhetin e BE-së e voton për marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe për zgjerimin e bllokut europian. Ky institucion ka përgjegjësi mbikëqyrëse, përfshirë fuqinë për të miratuar apo refuzuar emërimin e presidentit të Komisionit Europian, pozitë ku aktualisht është Ursula von der Leyen e Gjermanisë. Po ashtu, fuqinë e komisionerëve.

Në dallim nga parlamentet kombëtare, Parlamenti Europian nuk ka të drejtë të propozojë ligje, por mund të negociojë ligjet e propozuara prej Komisionit Europian. Parlamenti Europian përbëhet prej 720 anëtarëve dhe zgjedhjet për të mbahen çdo pesë vjet. Deputetët e këtij institucioni, më pas zgjedhin presidentin për një mandat prej dy vjetësh e gjysmë.