Aktualitet

Zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë Himarë, sot heshtje zgjedhore!

Sot është heshtje zgjedhore ndërsa nesër Himara voton për të zgjedhur kryebashkiakun e ri mes dy emrave. Ky zhvillim pasoi arrestimin më 12 maj 2023 e më pas dënimin për korrupsion zgjedhor të Fredi Belerit, i cili fitoi vendoret e majit 2023 si kandidat i opozitës, Koalicionit “Bashkë fitojmë” të Metës e Berishës, por nuk u lejua që të bënte betimin, si dhe prangosjes së kreut në detyrë të bashkisë, Jorgo Goro.

23 mijë e 74 qytetarë me të drejtë vote janë thirrur t’i drejtohen kutive për të zgjedhur mes dy kandidatëve, Vangjel Tavo i socialistëve dhe Petro Gjikuria i opozitës. 36 qendrat e votimit do të hapen në 07:00 të mëngjesit për t’u mbyllur më 19:00.

Materialet zgjedhore shkuan në Himarë një ditë më parë, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ do të bëjë shpërndarjen e tyre në orët e para të mëngjesit të nesërm, me qëllim që qendrat e votimit të jenë gati në orarin e caktuar për t’u hapur.

Në Himarë do të aplikohet vetëm identifikimi elektronik dhe qendrat e votimit do të jenë të monitoruara me kamera. Pas mbylljes së votimit pritet të nisë dhe numërimi i votave. Dënimi i Fredi Belerit me 2 vite burg nga Apeli i Gjykatës së Posaçme i hapi rrugë zgjidhjes së ngërçit në Bashkinë e Himarës ndërsa KQZ-ja i hoqi mandatin si kryebashkiak i Himarës.

Zgjedhjet e pjesshme në Himarë u shpallën brenda pak orëve, në një koordinim vendimesh mes KQZ-së, Kryeministrisë e Presidentit të Republikës, procedura që u kontestuan në gjykatë nga Fredi Beleri. Ky i fundit kërkoi rrëzimin e dekretit të presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve se sipas tij, ende nuk kishte kaluar afati i ankimit të vendimit të KQZ-së, por kërkesa iu rrëzua nga Gjykata Administrative e Tiranës.

Me dy kryetarë në burg, fillimisht, Bashkia e Himarës u drejtua nga nënkryetarja Blerina Bala, e cila më pas u dorëhoq dhe aktualisht në krye të institucionit është Arqile Bollano. Me zgjedhjet e ditës së nesërme dhe shpalljen e rezultatit të tyre pritet t’i jepet fund paqartësive lidhur me drejtimin e që do t’i besohet një emri mes Vangjel Tavos dhe Petro Gjikurisë.