Bota

Zgjedhjet në Parlamentin Evropian, reagon Kremlini!

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha sot se Moska po monitoron zgjedhjet për Parlamentin Europian.

Sipas tij shumica në parlament do të jetë pro-europiane dhe pro-ukrainase, si dhe se Rusia do të analizojë me kujdes përbërjen e ardhshme të parlamentit.

I pyetur se si e komentoi presidentin francez Emmanuel Macron që bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme parlamentare për shkak të humbjes së tij të dielën, Peskov tha se Rusia nuk ndërhyn në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe se kjo është çështje e Parisit.

“Është një çështje e brendshme e Republikës franceze, ne nuk do të donim të ndërhynim në punët e brendshme të vendit, në kundërshtim me shpifjet që ndonjëherë përhapen në Europë dhe Amerikë”, vuri në dukje Peskov.

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian u pasuan me dobësimin e euros kundrejt dollarit amerikan.

Mëngjesin e së hënës, (10 qershor) një euro ishte më pak se 1.08 dollar, ndërsa gjatë pjesës më të madhe të javës së kaluar ishte afër 1.09 dollarë.

Analistët thonë se lëvizjet nuk duken të mëdha, por se pasqyrojnë mënyrën se si ndihen njerëzit në tregjet ekonomike.