Aktualitet Bota

Zgjedhjet në Lituani, ish-bankieri Nauseda fiton raundin e parë të votimeve presidenciale

Presidenti aktual i Lituanisë, Gitanas Nauseda është në rrugën e duhur për një tjetër mandat, pasi mori pjesën më të madhe të votave në zgjedhjet presidenciale të vendit të dielën.

Nauseda mori rreth 44 për qind të votave në raundin e parë, e ndjekur nga kryeministrja Ingrida Shimonitë (Šimonytė) me 20 për qind, sipas të dhënave të komisionit zgjedhor. Meqenëse asnjë kandidat nuk mori 50 plus një të votave, dyshja do të shkojnë në balotazhin e zgjedhjeve më 26 maj.

Lituanezët iu drejtuan kutive të votimit mes anktheve për sigurinë në rajon dhe arritjeve ruse në fushën e betejës në Ukrainë. Lituania, një anëtare e NATO-s që nga viti 2004, kufizohet me enklavën ruse të Kaliningradit dhe Bjellorusinë miqësore me Moskën.

Nausėda, një ish-bankier që u zgjodh president i vendit baltik në vitin 2019, është një kritik i vendosur i Kremlinit dhe ka mbështetur fuqishëm luftën e Ukrainës kundër pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë, duke bërë thirrje për sanksione më të forta perëndimore ndaj Moskës.

Ai sulmoi kryeministrin hungarez Viktor Orbán tetorin e kaluar për shtrëngimin e dorës me presidentin rus Vladimir Putin, duke e akuzuar atë për “flirtim me një regjim që po kryen … mizori në territorin e Ukrainës”.

Por Nausėda ka mbrojtur tezën për afrimin me Kinën, pasi marrëdhëniet e dy vendeve u përkeqësuan për shkak të një ambasade de facto tajvaneze në Vilnius. Nausėda e quajti një “gabim” vendimin e qeverisë lituaneze për të lejuar hapjen e zyrës përfaqësuese në vitin 2021 me emrin Tajvan dhe jo Taipei.

Šimonytė në anën tjetër ndan qëndrimin e ashpër të Nauseda-s ndaj Rusisë, por është më liberale për çështjet sociale, siç janë partneritetet civile të të njëjtit seks, të cilat presidenti aktual i kundërshton. Nauseda mundi Shimonitën në zgjedhjet presidenciale të 2019-ës, duke marrë 66 për qind të votave.