Aktualitet

Zgjedhjet në Himarë/ Petro Gjikuria reagon pas humbjes së thellë: Rezultati ishte produkt i transformimit të listës së zgjedhësve!

Petro Gjikuria, kandidati i opozitës për Himarën, ka reaguar lidhur me rezultatin zgjedhor, ku fitues u shpall Vangjel Tavo i Partisë Socialiste.

Sipas kandidatit të opozitës, beteja ishte e madhe por rezultati doli i tillë me humbje për shkak të transforimit të listës së zgjedhësve.

“Patëm një betejë të madhe. Një betejë e cila ishte vazhdim i shumë betejave të mëdha që kanë bërë himariotët, sidomos vitet e fundit të udhëhequr nga Fredi Beleri. Kjo betejë ishte pararojë e betejave të ardhshme që do të thirremi për vendin tonë.

Në këto zgjedhje pamë metoda antidemokratike në të gjitha stadet e tyre. Rezultati ishte produkt i transformimit të listës së zgjedhësve me qëllim përshtatjen e saj me interesat e kundërshtarëve tanë, duke i dhënë mundësinë një ushtrie partiake të merrte pjesë në zgjedhje dhe njëkohësisht, duke u mohuar këtë të drejtë mijëra qytetarëve të Himarës, si dhe duke përfshirë shtetin dhe parashtetin. Qëllimi ishte patja e një tjetër kryebashkiaku të dobët, i cili do t’u shërbejë interesave të Edi Ramës dhe partisë së tij.

Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që ndihmuan në këtë fushatë elektorale për garën e bukur dhe të ndershme që bëmë. Beteja për të nesërmen e Himarës vazhdon”- shkruan Gjikuria.