Prej mbrëmjes të së dielës kur filluan të dalin rezultatet e para e deri të hënën pas mesdite kur tabloja u bë më e qartë, u konfirmua edhe njëherë se preferenca politike në Greqi nuk ndryshoi nga zgjedhjet parlamentare para katër muajsh, tek ato lokale që u zhvilluan dje.
Në 13 qarqet e vendit konservatorët kanë parë se 6 prej tyre i kanë fituar që në raundin e parë, pra me më shumë se 43% të votave, të preferuarit e Demokracisë së Re dhe në Kretë ka fituar një kandidat i përbashkët i disa partive opozitare. Por edhe në qarqet e mbetura, kryesojnë për garën e raundit të dytë kandidatët e djathtë.
Sa u përket bashkive në 246 nga 332 janë zgjedhur kryetarët që në raundin e parë, ndërsa në 86 të tjera do të votohet përsëri të dielën që vjen.
Kryebashkiaku i Athinës dhe nipi i kryeministrit Mitsotakis, Kostas Bakojanis nuk ka mundur të zgjidhet që në raundin e parë pavarësisht se kryeson me diferencë të madhe nga ndjekësit e tij.
Edhe në Bashkinë e Selanikut konservatorët kanë parë se i preferuari i tyre, megjithëse i pari me 28%, ka diferencë të vogël nga rivali i tij që mund të sjellë përmbysjen.
Por të djathtët krenohen me fitoren e tretë radhazi të kryebashkiakut të Pireut si dhe të bashkisë së Larisës, ku për shkak të përmbytjeve duket se qytetarët nuk kanë votuar kryetarin e mëparshëm.
Ndërkohë reagime të mëdha të partive politike dhe të opinionit publik kanë shkaktuar deklaratat homofobike të kryetarit të rizgjedhur të bashkisë së qytetit të Volosit, Achileas Beos, ndaj liderit të partisë Syriza, për të cilat ka hapur edhe Prokurori një hetim në se është shkelur ligji antiracist.
Një karakteristikë kryesore e zgjedhjeve lokale ishte edhe pjesëmarrja e ulët, vetëm një në dy grekë shkuan të votojnë, ndërsa në Athinë kjo shifër ka shkuar në gati 33%.