Bota

Zgjedhjet europiane dhe zgjerimi: Qasja e partive gjermane për Ballkanin Perëndimor!

Zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk është një ndër temat kryesore të diskutuara nga partitë gjermane në fushatën zgjedhore për Parlamentin Evropian 2024, por qëndrimet e tyre për këtë çështje partitë i kanë shkruar në programe.

CDU/CSU (Unioni Kristian-Demokrat dhe Unioni Kristian-Social), partia kryesore e opozitës ne Gjermani, e mbështet zgjerimin e BE-së thotë DW, por thekson se vendet kandidate duhet të përmbushin të gjitha kriteret e anëtarësimit. “Anëtarëve të ardhshëm të BE-së duhet t’u ofrohet një perspektivë konkrete.

Për këtë ne propozojmë hapa të ndërmjetëm për vendet kandidate drejt anëtarësimit në BE. Këto mund të përfshijnë pjesëmarrjen në programe të veçanta të BE-së, qasje graduale në tregun e brendshëm ose dhënien e katër lirive themelore,” thotë drejtues të CDU/CSU, e cila si kandidate kryesore ka Ursula von der Leyen (CDU) dhe Manfred Weber (CSU) dhe në bazë të sondazheve të fundit, pritet të marrë numrin më të madh të votave në Gjermani, apo gati 30 përqind. SPD (Partia Social-Demokrate e Gjermanisë), një nga partitë më të vjetra dhe më të mëdha të Gjermanisë, që aktualisht kryeson koalicionin qeverisës në vend, kërkon përshpejtimin e procesit të anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe propozon hapa të ndërmjetëm për integrimin e tyre.

Të gjelbrit janë të vetmit që Ballkanit Perëndimor i kushtojnë një pasazh më vete. Ata nënvizojnë se “E ardhmja e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnja dhe Herzegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, është në BE. Premtimi për anëtarësim në BE është një motor i rëndësishëm për procesin e ndjeshëm të paqes dhe pajtimit në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ky premtim anëtarësimi nuk duhet të vihet në rrezik.” Ndërkohë, Alternativa për Gjermaninë, një parti euroskeptike e ekstremit të djathtë që gjithashtu pritet të ketë rritje në këto zgjedhje, nuk i përmend në mënyrë specifike vendet e Ballkanit Perëndimor, por thekson se çdo zgjerim i BE-së duhet t’i nënshtrohet një referendumi popullor.

“Për sa kohë që sovraniteti shtetëror i shteteve kombëtare nuk është rikthyer, Gjermania nuk duhet të ndryshojë apo të nënshkruajë marrëveshje lidhur me zgjerimin e BE-së, dhënien e sovranitetit dhe angazhimet financiare pa një referendum”, thuhet në programin e saj.