Aktualitet Politikë

Zgjedhjet e pjesshme në Himarë/ Partia Socialiste paditi KQZ, ja 5 gjyqtarët që do shqyrtojnë çështjen!

Trupi gjykues për padinë e PS ndaj KQZ në Gjykatën e Tiranës është caktuar.

Ata janë Manjola Xhaxho, relatore dhe anëtarët Nafije Hasko, Sokol Ibi, Marsela Dervishi dhe Edlira Petri.

Partia Socialiste paditi KQZ, pasi Komisioni Rregullator nuk miratoi afatet për organizmin e zgjedhjeve në Himarë, të cilat pritet të mbahen më 4 gusht.

NJOFTIM PËR MEDIA:

Pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, për llogari të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, është paraqitur për shqyrtim çështja Nr.3 Regj. Themeltar, Datë 12.07.2024 Regjistrimi, me:

PADITËSE: Partia Socialiste e Shqipërisë.

I PADITUR: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Komisioni Rregullator në KQZ.

PERSON I INTERESUAR: Koalicioni “Bashkë Fitojmë”.

OBJEKTI: – Kundërshtim ndaj mosmarrjes vendim nga Komisioni Regullator në KQZ, “Për miratimin e disa afateve proceduriale që lidhen me zgjedhjet e pjesshme për kryetar në Bashkinë Himarë, që do të zhvillohen më datë 4 gusht 2024”.
– Detyrimin e Komisionit Rregullator në KQZ për të marrë menjëherë vendim “Për miratimin e disa afateve proceduriale që lidhen me zgjedhjet e pjesshme për kryetar në Bashkinë Himarë, që do të zhvillohen më datë 4 gusht 2024”.

Për dijeni, Komisioni Rregullator në KQZ rezulton të ketë disponuar Vendim Nr.2 Dt. 09.07.2024 “Për miratimin e disa afateve proceduriale që lidhen me zgjedhjet e pjesshme për kryetar në Bashkinë Himarë, që do të zhvillohen më datë 4 gusht 2024”, në përmbajtje të të cilit është pasqyruar edhe shënimi:
“Në zbatim të pikës 3, të nenit 20, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndyshuar, akti nuk mori numrin e kërkuar të votave për t’u konsideruar i miratuar” (3 prej anëtarëve të Komisionit Regullator kanë votuar pro dhe 2 anëtarë kanë votuar kundër).

Më datë 15.07.2024 u hodh shorti publik për përcaktimin e përbërjes së Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor dhe, sipas tij, trupi gjykues përbëhet nga gjyqtarët:

1. Manjola Xhaxho (Relatore);
2. Nafije Hasko (Anëtare);
3. Sokol Ibi (Anëtar);
4. Marsela Dervishi (Anëtare);
5. Edlira Petri (Anëtare).

Me Urdhër datë 15.07.2024 “Për caktimin e seancës gjyqësore” të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor është caktuar data 17.07.2024, ora 11:00, për zhvillimin e seancës gjyqësore në ambientet e Gjykatës Administrative të Apelit, në adresën: Rr.“Ismail Qemali”, Tiranë.

Tiranë, më 16.07.2024