Bota

Zgjedhjet e parakohshme, Franca rrezikon trazira civile!

Franca mund të përballet me trazira civile dhe dhunë në lidhje me zgjedhjet e parakohshme. Ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin tha se ka mundësi të ketë tensione tejet të mëdha e shtoi se autoritetet po përgatiten për një situatë “shumë të ndjeshme”, pasi votimi do të mbahet më pak se një muaj para Lojërave Olimpike “Paris 2024”.

Presidenti Emmanuel Macron, i cili tronditi kombin kur njoftoi vendimin për të shpërndarë Parlamentin, nuk merr pjesë në zgjedhje. Por, këto zgjedhje perceptohen si referendum për fatin e Macronit, i cili dikur shihej si president i aftë për t’i tejkaluar ndarjet politike, por popullariteti i tij ka rënë tani pas disa krizave politike.

Unë ju besoj, iu tha Macron votuesve në një “letër drejtuar francezëve”, e cila u publikua një ditë më parë.

Në letër, shefi i Elizesë kërkon ta paraqesë kampin e tij, i cili në sondazhe mbetet pas të djathtës ekstreme dhe gjithashtu pas aleancës së porsaformuar majtiste, si “shpresën e fundit për stabilitet”.

Unë nuk jam i verbër: jam i vetëdijshëm për krizën demokratike.

Macron e përsëriti se do ta mbajë pozitën e presidentit derisa t’i përfundojë mandati më 2027-ën, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve. Më 9 qershor, ai shpërndau Parlamentin francez dhe shpalli zgjedhje të parakohshme, pas fitores së madhe të partisë së të djathtës ekstreme në zgjedhjet për Parlamentin Europian të mbajtura nga data 6 deri më 9 qershor.

Franca do të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare më 30 qershor dhe më 7 korrik. Sondazhet sugjerojnë se ekstremi i djathtë mund të fitojë.

“Bixhoz i rrezikshëm”. Kështu e përshkruajnë shumë media perëndimore vendimin e Macron-it për të shpallur zgjedhjet e parakohshme legjislative. Sipas një shkrimi në New York Times, Macron i dha të djathtës ekstreme shansin më të mirë për të qeverisur me Francën, për herë të parë që nga “regjimi Vichy” i Luftës së Dytë Botërore.

Për ata që kanë më shumë për të humbur nga e djathta ekstreme në pushtet, para së gjithash emigrantët dhe pasardhësit e emigrantëve të fundit, lajmi është i tmerrshëm. Me siguri, Macron shpreson se ky veprim është në dobi të tij. Por, mos gaboni: Franca është në rrezik, shkruan New York Times.