Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha do të ketë dy anëtarë në Komisionin Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve numër 11 në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme për kryetarin e Bashkisë së Kukësit, më 24 shtator. Votimet zhvillohen të dielën e javës së ardhshme, pas shkarkimit të Safet Gjicit në lidhje me përfshirjen në një skandal seksual ndërsa në fund të qershorit u arrestua për korrupsion pasiv.
Kjo u vendos sot nga Kolegji Zgjedhor në Tiranë. Togat e zeza rrëzuan vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KQZ dhe më tej Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, KAS që i jepnin të drejtën e dy anëtarëve, Partisë së Lirisë.
KQZ dhe KAS argumentonin se në zgjedhjet vendore të 14 Majit, Partia e Lirisë, pjesë e koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” u rendit si partia e dytë më e madhe në vend.
Por, Partia Demokratike e Lulzim Bashës e ankimoi këtë vendim. PD-ja ngriti pretendimin se Partia e Lirisë nuk mund të cilësohet si një parti e dytë, pasi votat e marra më 14 Maj ishin në bazë koalicioni dhe renditja e partive duhet të bazohet në zgjedhjet më të fundit parlamentare e t’i takonte Partisë Demokratike e drejta për të zgjedhur dy anëtarë për KZAZ-në e Kukësit.
Kolegji Zgjedhor i përbërë nga Sokol Ibi, relator, Edlira Petri (anëtare); Manjola Xhaxho (anëtare); Esmeralda Xhili (anëtare); Alma Kolgjoka (anëtare), në fund të shqyrtimit të pretendimeve të palëve i dha të drejtë Partisë Demokratike të Lulzim Bashës. Tashmë do të jetë pikërisht selia blu që do të caktojë dy anëtarë të KZAZ-së në Kukës.
Sipas kësaj ndarjeje, KZAZ-ja e Kukësit do të ketë shtatë anëtarë: tre të përzgjedhur nga Partia Socialiste, dy nga Partia Demokratike dhe një anëtar nga Partia e Lirisë. Anëtari i shtatë dhe kryetari do të jenë nga Partia Socialiste, ndërsa sekretari i KZAZ-së nga Partia e Lirisë.