Bota

Zgjedhjet e Kongresit, Trump rivalizon presidentin Biden/Fushatë aktive për republikanët favoritë!

Ndërsa fushata për zgjedhjet e 8 nëntorit që mund të riformësojnë Kongresin hyri në ditën e fundit, Joe Biden dhe Donald Trump mbajtën tubime me apele për votuesit. Presidenti amerikan në Nju Jork, ish-presidenti në Florida. Kohët e fundit, vëmendja është zhvendosur drejt republikanëve, të cilët po përpiqen të marrin nga demokratët kontrollin e dy dhomave të Kongresit.

Republikanët amerikanë konsiderohen favoritë për të fituar në Dhomën e Përfaqësuesve, por fitorja në Senat ende paraqet sfidë, siç sugjerojnë sondazhet. Marrja e kontrollit e njërës prej dhomave të Kongresit nga republikanët do të paraqiste pengesë të madhe për agjendën legjislative të shefit të Shtëpisë së Bardhë.

Me fushatën që përmbyllet sot, partia e Bidenit po bëhet gati të humbë edhe në ato pjesë të shtetit ku zakonisht demokratët dalin mirë në zgjedhje. Para votuesve në Nju Jork, presidenti foli në mbështetje të guvernatores Kathy Hochul, e cila po sfidohet nga kandidati republikan, që ka mbështetjen e Trumpit, Lee Zeldin.

Zgjedhjet janë pikë kthese që do të përcaktojnë 20 vitet e ardhshme. Votuesit do të zgjedhin mes dy vizioneve thelbësisht të ndryshme për Amerikën.

Ndërkaq, Trump mori pjesë në një tubim në Miami, në mbështetje të Marco Rubios, i cili po garon për një mandat tjetër. Për mbi një orë, ish-presidenti kritikoi demokratët, duke i akuzuar se po e çojnë vendin drejt “komunizmit”.

Demokratët duan ta shndërrojnë Amerikën në Kubën komuniste apo Venezuelën socialiste. Të gjithë amerikanët hispanikë në Florida e në mbarë vendin, ne i mirëpresim krahëhapur në Partinë Republikane.

Trump la të kuptohej se do të garojë sërish për president në zgjedhjet e vitit 2024, duke u thënë votuesve të presin pjesëmarrjen e tij në tubimin e sotëm në Ohajo.

Sondazhet sugjerojnë se demokratët kanë të ngjarë të humbasin shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve. Kontrolli i Senatit me gjasë do të varet nga rezultatet e garave të ngushta në Pensilvani, Xhorxhia e Nevada. Mbi 40 milion zgjedhës votuan për zgjedhjet në Kongres, që sipas ekspertëve është numër më i lartë se në votimet e vitit 2018.

Por, votimet me postë zakonisht marrin më shumë kohë të numërohen sa të rregulltat, duke bërë që rezultatet në shumë shtete të mos jenë përfundimtare nesër në mbrëmje. Në shumë shtete kyçe, si Uiskonsin dhe Pensilvani, zyrtarëve zgjedhorë nuk u lejohet të nisin numërimin e votave deri në ditën e zgjedhjeve.