Aktualitet Politikë

Zgjedhjet 2025/ Rama mbledh drejtuesit e qarqeve dhe kryebashkiakët!

Në fushatën për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm, Partia Socialiste planifikon të përfshijë dhe të gjithë kryetarët e bashkive të zgjedhur nën logon e kësaj force politike.   Sot në orën 14:00, në Tiranë do të zhvillohet një takim i thirrur nga kryesocialisti Edi Rama me 15 drejtuesit politikë të qarqeve dhe kryetarët e bashkive.

Ky takim do të jetë tërësisht organizativ e me dhënie të porosive nga Rama në bashkërendimin e punëve mes drejtuesve politikë e kryebashkiakëve.

Disa ditë më parë, Partia Socialiste prezantoi platformën “Deputeti që Duam”. Rama tha se aplikantët duhet të jenë vlerë e shtuar, duke theksuar që ata të tregojnë se çfarë janë në gjendje të bëjnë dhe të tregojnë se janë kandidatë që i duhen PS-së.

Vlerë të shtuar nuk të bën as mosha, as fakti që ke dëshirë apo të dish të flasësh bukur apo fakti që mund të kesh qenë më parë në rrethin më të gjerë që ka PS-ja. Nuk të bëjnë as lidhjet që mund të kesh me PS-në sepse të gjitha këto janë të pamjaftueshme. Vlerë të shtuar të bën çfarë ti je në gjendje të demonstrosh, duke treguar që je një kandidat që i duhesh PS-së.

Më 8 shtator u njoftua ndryshimi i drejtuesve politikë të forcës politike në pushtet që synon mandatin e katërt në zgjedhjet politike të 2025-ës. Maxhoranca i ka kushtuar vëmendje të veçantë Tiranës, si qarku më i madh e që nxjerr dhe numrin më të madh të deputetëve. Rama ia besoi tre drejtuesve politikë: Erion Veliajt, Elisa Spiropalit e Ogerta Manastirliut.

Nga qarku i Elbasanit iku Damian Gjiknuri, i cili është caktuar sekretar Organizativ dhe i Zgjedhjeve duke u zëvendësuar me Arbian Maznikun. Edhe Taulant Balla mbeti pa drejtimin e një qarku. Në këto zgjedhje i është deleguar detyra e shefit politik për Diasporën, nisur dhe nga ndryshimet e reja zgjedhore që lejojnë votën e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës. Qarku i Fierit do të udhëhiqet nga zv.kryeministrja Belinda Balluku, e cila largohet nga Dibra ku shkoi Blendi Gonxhja.

Katër drejtues politikë janë konfirmuar në të njëjtat qarqe që iu besuan në vitin 2021. Ulsi Manja në Lezhë, Pandeli Majko në Kukës, Niko Peleshi në Korçë e Mirela Kumbaro në Gjirokastër.  Ndërkohë, qarku i Durrësit iu besua kryebashkiakes Emiriana Sako.